Site icon Telegrafi

Balaj: Pagat e punëtorëve të Telekomit nuk do të ulën (Video)

Gjendja financiare në Telekomin e Kosovës, ka filluar të përmirësohet muajve të fundit. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj gjatë një intervistë për Telegrafin.

Sipas tij, vetëm në muajin shtator Telekomi ka pasur 2 milionë euro më shumë të hyra. “Ka filluar të ndryshoj gjendja në Telekom. Muajin e kaluar (shtator) kemi pasur të hyra më shumë për rreth 2 milionë euro. Por konkurrenca jo e drejtë në treg e kompanive të ndryshme, ka bërë që Telekomi të ngec me të hyra”, tha Balaj.

Si Sindikatë ka thënë se nuk do të pranojnë uljen e pagave të punëtorëve.

“Ulja e pagave është kapitull i mbyllur. Në bashkëpunim me ministrinë, Zyrën e Kryeministrit, Bordin dhe menaxhmentin, kem ardhur në përkundim se ulja e pagave nuk është zgjidhje për Telekomin. Në Telekom janë ulur pagat më 2012 dhe 2015, dhe kur në krejt Kosovën ngritën pagat të ulen pagat në një ndërmarrje që i ka dhënë deri në 560 milionë euro dividendë Qeverisë është e pa kuptimtë”, tha Balaj.

Ai ka treguar se shpenzimet janë ulur në një pjesë të qerave deri në 30 për qind.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj ka thënë se janë në fazën përfundimtare për implementimin e kodit +383, por jo në afatet e parapara.

“Kemi kapacitet për kodin e ri, është dashur edhe më herët Qeveria duhet të jetë shpëtimtare, jemi në fazën përfundimtare të implementimit të kodit pasi kemi shfrytëzuar dy kode dhe kemi paguar deri më 20 milionë euro brenda një viti. Por nuk mund të them se kodi +383 do të filloi të implemetohet nga 31 tetori, por besoj se këtë vit do të fillojë të implementohet kodi telefonik i Kosovës”, tha Balaj. /Telegrafi/

Exit mobile version