Ngjarja që terrorizoi banorët e Vlorës pak ditë më parë, ku një i ri thërriste si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut” dhe “Do t’ju vras të gjithëve”, është sqaruar nga vetë babi i shqiptarit nga Mitrovica, për të cilin është kërkuar shtrimi në një spital psikiatrik.
Në një komunikim të shkurtër me median dje, në dalje të Gjykatës, babai i Dijar Xhemës tregoi se djali i tij kishte marrë makinën dhe ishte larguar në drejtim të Vlorës pa dijeninë e anëtarëve të familjes.
Sipas babait, djali i tij kishte ikur nga plazhi i Golemit me makinë duke udhëtuar drejt Vlorës. Ndonëse vuante nga problemet depresive prej vitesh, sipas tij kjo s`ka të bëjë me xhihadistët apo me terroristët. Sipas të atit, ai nuk ka pasur lidhje me këto gjëra, kur ka qenë i ri ndoshta ka bërë gjëra me makina, por ai vuan nga depresioni që nga viti 2010.
Sipas të dhënave të hetimit, shtetasi nga Mitrovica ka hyrë në Shqipëri në datën 7 korrik 2016, bashkë me dy persona të tjerë, mendohet se deri më 16 gusht 2016 ai ka qëndruar me familjen në plazh në zonën e Golemit e më pas ka marrë makinën duke ikur drejt Vlorës, ku edhe shkaktoi veprimet e dhunshme që ngjallën edhe panik te qytetarët.
Atë ditë policia njoftoi arrestimin e të riut, duke ngritur ndaj tij akuza edhe për terrorizëm.
“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet B.N., N.I. dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës, brenda një harku kohor prej 2 orësh”, theksoi Policia ditën e ngjarjes.
Sipas komunikatës së Policisë, këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do t’ju vras të gjithëve”.
“Personi u lokalizua dhe u neutralizua duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik”, ka bërë me dije Policia. Sipas saj, ky shtetas si gjatë arrestimit, edhe në ambientet e shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e rendit.