Telegrafi

“Azemi dhe karroca e tij”, një histori përkushtimi në rrugët e Shatërvanit

Në qytetin e Prizrenit jeton një nga prizrenasit që është simbol i përkushtimit. Ai është Azem Kukaqi, 65-vjeçari nga komuniteti rom i njohur për energjinë e tij dhe që mban gjallë traditën e vjetër të transportit me karrocë në Shatërvan.

Ai me karrocën e tij transporton mallrat e bizneseve që veprojnë në Shatërvan. Çdo ditë ai punon me përkushtim, duke siguruar që gjithçka të shkojë mirë dhe në kohë.

Azemi ka punuar për 43 vjet, duke e vazhduar këtë zanat që nga rinia.

“Unë punoj 43 vjet, gjithmonë me këtë punë kam punuar”, thotë ai.

Ai është aty çdo ditë nga ora 09:00 e mëngjesit deri në ora 19:00  të mbrëmjes. Azemi është i gatshëm të ndihmojë bizneset dhe klientët e tij.

Megjithatë, puna nuk është gjithmonë e qëndrueshme.

“Kur po ka punë po punoj, kur s’po ka po rri”, shpjegon ai, duke theksuar se nuk ka çdo ditë punë të garantuar.

Azemi filloi këtë punë kur vërejti nevojën për transportin e mallrave në Shatërvan.

“Kur e kam pa që ka punë, kam vendosur me punu këtë punë dhe më nuk e kam ndalur”, thotë ai.

Azem Kukaqi, foto: Velard Paqarizi

Pasi punoi për disa vite në një kompani, ai u detyrua të ndërronte punën, pasi kompania u privatizua.

“Privati kon po e don e merr vetë, edhe unë mbeta edhe u detyrova me marrë punën tem”, shton ai për Telegrafin.

Puna e Azemit nuk është gjithmonë e lehtë.

Azem Kukaqi, foto: Velard Paqarizi

“Kur ka punë po jam i kënaqur, por kur s’ka, s’ka… tash edhe pak më vështirë u bënë sendet, puna ma rrallë”, thotë ai, duke pranuar sfidat që sjell puna e pavarur.

Pavarësisht këtyre sfidave, Azemi vazhdon të punojë me energji dhe përkushtim, duke ruajtur një traditë të vjetër që sjell një frymë të veçantë në rrugët e Shatërvanit.

Duke reflektuar mbi të ardhmen, Azemi e di se puna e tij është e ndërlidhur me shëndetin dhe forcën që ai ka.

“Qaq sa kam forcën, ma ka dhanë zoti e vazhdoj. Nëse jo, atëherë duhet me jetu me atë të pensionit, me 100 euro, çka me bo,” shprehet ai.

Puna dhe përkushtimi i Azemit janë shembull i një tradite të vjetër që vazhdon të jetojë në Prizren, duke e bërë atë një legjendë të vërtetë për qytetin dhe komunitetin e tij. /Velard Paqarizi/Telegrafi/