Avokati Çedomir Stojkoviq nesër do të ngre kallëzim penal për terrorizëm dhe vrasje të rëndë kundër grupit serb, pjesëmarrës në sulmin terrorist në manastirin e Banjskës në veri të Kosovës.
“Të përkujtojmë se edhe 10 ditë pas aktivitetit paraushtarak në manastirin e Banjskës, ku u vra një polic i Kosovës, të cilës Republika e Serbisë ia njeh legjitimitetin e plotë sipas Marrëveshjes së Brukselit, dhe ku u vranë të paktën tre sulmues [serbë] askush nuk është arrestuar”, tha Stojkoviq.
Siç transmeton “Danas”, Stojkoviq ka thënë se është e qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mbron pjesëmarrësit e ngjarjes paramilitare, të cilët, siç thotë ai, përbëjnë terrorizëm nga neni 391 i Kodit Penal (për të cilën parashihet dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet) dhe veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 114 i Kodit Penal (për të cilën parashikohet dënim me burg prej së paku 10 vjet deri në maksimum me burgim të përjetshëm).
“Zvarritja për fillimin e procedurës penale dhe arrestimin e autorëve, padyshim synon fshehjen e përfshirjes së lidershipit shtetëror serb në organizimin e asaj ngjarje. Në të njëjtën kohë, sipas praktikës ekzistuese të gjykatave të Serbisë, për çdo armëmbajtje pa leje në Serbi, paraburgimi është i detyrueshëm për kohëzgjatjen e hetimeve, dhe që nga ngjarja tragjike në Shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’, ai paraburgim detyrimisht zgjat me muaj”, tha Stojkoviq, transmeton Telegrafi.
Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit dhe se të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas njoftimit, Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.
Aty nuk jepen detaje të tjera.
Më 29 shtator, Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin. /Telegrafi/