Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, i arrestuar të premten nga autoritetet serbe në Merdarë, është transferuar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, përmes një postimi sot në Facebook.
“Informatat e fundit për rastin e arrestimit e Hasan Dakajt që i kam marrë janë se tashmë Hasan Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd në rrugën “Baçvanska”,” ka shkruar ai.
Sipas Smakiqit, Prokuroria e Serbisë pretendon se ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte.
“Pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj pretendohet nga Prokuroria serbe se kinse ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte si 19 vjeçar. Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve te prokurorisë së Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me di kënd tjetër”, ka shkruar avokati Smakiqi në Facebook.
Smakiqi ka bërë të ditur se të martën do të mbahet seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë. Ai është arrestuar në pjesën tjetër të kalimit kufitar Merdarë. Avokati Smakiqi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës që të interesohet për fatin e Dakajt.
Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Për rastin është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Zyra Ndёrlidhёse e Kosovёs nё Serbi do t’u paraqesë kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar ambasadorin Jetish Jashari ta vizitojё Dakajn, qё tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet Dakajt nga organet serbe. /Telegrafi/