Këngëtarja shqiptare e cila po bën emër në tregun internacional të muzikës, Ava Max, ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor.
“Salt” titullohet kënga e saj e re, që përkthyer në shqip do të thotë kripë.
Kënga është ritmike dhe do të jetë pjesë e albumit të saj të ri, të cilin këngëtarja ka paralajmëruar se do ta publikojë së shpejti.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci, e ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale këngën e re, e cila është pritur mirë që në orët e para të lansimit.
“Salt” aktualisht është e disponueshme për publikun vetëm në versionin audio, gjersa artistja nuk ka bërë të ditur nëse mendon t’ia realizojë edhe klipin.
Ava Max përndryshe së fundmi mori pjesë në koncertin e “Jingle Bell” të organizuar nga Capital FM në Londër, pjesë e të cilit ishin edhe emra të tjerë të njohur si: Rita Ora, Liam Payne, Harry Styles etj.
Ajo këtë vit ka qenë shumë aktive me projekte muzikore, gjersa është shpërblyer edhe me çmime nëpër kompeticione të rëndësishme muzikore. /Telegrafi/