Autoritetet amerikane kanë arrestuar dy agjentë të qeverisë kineze. Ata kanë qenë të lidhur me një komplot për të shkatërruar lëvizjen antikomuniste kineze, Falun Gong.
John Chen dhe Lin Feng akuzohen se kanë tentuar ta komprometojnë lëvizjen Falun Gong me bazë në New York, duke u përpjekur të korruptojnë një zyrtar tatimor, raporton reuters.
Zyrtari, i cili në fakt ishte një oficer policie me rroba civile, regjistroi biseda të shumta me Chen dhe hetuesit morën kaseta të Chen dhe Feng duke diskutuar udhëzimet që dyshohet se kishin marrë nga zyrtarët e qeverisë kineze, thanë prokurorët.
Në një video, Chen i quajti zyrtarët e qeverisë kineze “vëllezër gjaku” dhe në një tjetër, ai tha se Pekini do të ishte “shumë bujar” me ndihmën në procesin e komprometimit të statusit jofitimprurës të lëvizjes Falun Gong.
Chen, një shtetas amerikan 70-vjeçar dhe Feng, një shtetas kinez 43-vjeçar me leje-qëndrimi në SHBA, u akuzuan për veprim si agjentë të paregjistruar të një qeverie të huaj, dhënie ryshfeti një zyrtari publik dhe komplot për të kryer pastrim ndërkombëtar parash.
Chen dhe Feng kanë lindur të dy në Kinë, por tani jetojnë në zonën e Los Angelosit, ku u arrestuan të premten, raporton reuters.
Kina e ndaloi lëvizjen Falun Gong në vitin 1999, duke e klasifikuar atë si një kult të keq dhe një nga “pesë helmet”, ose kërcënimet kryesore për qeverinë e saj. Që atëherë, praktikuesit e Falun Gong janë strehuar në një pronë prej 400 hektarësh të quajtur “Dragon Springs” në veri të New Yorkut. /Telegrafi/