Site icon Telegrafi

Autobusi i shkollës shtyp turmën e prindërve dhe nxënësve në Kinë, humbin jetën 11 persona

Një autobus i shkollës është përplasur në turmën e njerëzve duke mbytur të paktën 11 prej tyre, përfshirë pesë nxënës ka njoftuar policia kineze ne Shandong.

Disa tjerë janë lënduar, përfshirë një që është në gjendje kritike, transmeton Telegrafi.

Autobusi ishte përplasur në turmën e nxënësve dhe prindërve, derisa po qëndronin jashtë para portës së shkollës në qytetin Tai’an.

Shoferi kishte “humbur kontrollin” mbi mjetin, kurse mediat e atjeshme raportojnë se ai është arrestuar dhe se policia ka filluar hetimet për të përcaktuar shkakun e incidentit. Mbetet e paqartë nëse incidenti ishte akt i qëllimshëm.

“Deri më tani, 11 persona kanë humbur jetën (përfshirë gjashtë prindër dhe pesë nxënës)”, kanë konfirmuar mediat kineze, pasi autobusi goditi turmën e prindërve dhe nxënësve në skaj të rrugës.

Dymbëdhjetë tjerë janë në gjendje stabile, kurse fotografitë dhe videot nga incidenti që janë shpërndarë në rrjetet sociale, i shfaq disa prej tyre që kanë ngecur nën autobus. /Telegrafi/

Exit mobile version