Site icon Telegrafi

“Atyre iu deshën tre muaj për ta kuptuar”, Kroos është akoma i zemëruar me atë që ndodhi në Euro 2024

Mesfushori Toni Kroos ndihet akoma i zemëruar me vendimin e gjyqtarëve për mos akordimin e një penalltie të dukshme në humbjen e tyre në çerekfinale të Euro 2024 në vazhdime ndaj Spanjës.

Së fundmi UEFA doli me udhëzime të reja për prekjet e topit me duar pas Euro 2024.

“Çdo kontakt me top që ndalon një goditje në portë duhet të ndëshkohet më rreptësishtë dhe në shumicën e rasteve duhet të jepet një goditje dënimi, përveç rastit kur krahu i mbrojtësit është shumë afër trupit ose në trup”, thotë rregulli.

UEFA sqaroi gjithashtu se në rastin e Marc Cucurella në çerekfinalen e Euro 2024, gjyqtari bëri një gabim që nuk akordoi penallti ndaj Spanjës.

“Në atë rast, mbrojtësi ndalon goditjen në portë me krahun e tij, i cili nuk është shumë afër trupit, kështu që duhet të ishte dhënë një goditje dënimi. Nuk kërkohet asnjë masë disiplinore”, shtuan ata.

Kroos u pyet nga gazetarët se çfarë mendon për qëndrimin e ri të UEFA-s për rregullat e prekjes së topit me dorë dhe përgjigja e tij ishte klasike.

“Atyre iu deshën tre muaj për të kuptuar se ishte një lojë me dorë, diçka që pothuajse të gjithë ne e pamë në një sekondë. Faleminderit, nuk ishte aq e rëndësishme”, u përgjigj me ironi Kroos.

“A do të jem në gjendje të bëhem kampion i Evropës tani që zyrtarisht kanë thënë se ishte një gabim? Nuk e di”, shtoi mesfushori i pensionuar.

Incidenti i “dorës së Cucurellas” ndodhi në minutën e 107-të të lojës dhe do të ndihmonte Gjermaninë dhe Kroos të arrinin në gjysmëfinale dhe ndoshta në finale të Euro 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version