Ish-sulmuesi i Interit dhe Romës, Edin Dzeko, ka folur për largimin e tij nga ‘Nerazzurrët’ në verën e vitit të kaluar, duke e cilësuar këtë si një ‘vendim të çuditshëm’ teksa tha se klubi vendosi t’i ndajë rrugët me të për t’i liruar vendin Romelu Lukakut.
Dzeko u aktivizua në 52 ndeshje në të gjitha garat për Interin gjatë sezonit 2022/2023, në të cilin ai luajti si titullar në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Cityt.
“Nëse ata vendosën në këtë mënyrë, do të thotë se të gjithë u pajtuan, trajnerët dhe bordi”, ka thënë Dzeko fillimisht.
“Për mua, ishte një vendim i çuditshëm, sepse ju mund ta mbani një lojtar i cili luajti titullar në të gjitha ndeshjet e rëndësishme, duke përfshirë finalen e Ligës së Kampionëve dhe të keni katër sulmues në ekipin tuaj”.
“Mu duk shumë e çuditshme, kjo është e tëra. Pastaj, e kuptova këtë me kohën dhe e respektova, gjithashtu për shkak se të gjithë u sollën mirë me mua tek Interi”.
Inzaghi preferoi Dzekon para Lukakut në disa raste gjatë sezonit 2022/2023 duke marrë kritika nga tifozët, por sulmuesi nga Bosnja beson se trajneri kishte një arsye për ta bërë këtë.
“Të gjithë mund të flasin, por unë them: a mendoni se një trajner mund ta vendos në formacion një lojtarë i cili nuk është aq i mirë sa ai që mban në bankë? Dhe ta bëjë në një finale të Ligës së Kamionëve”, shtoi Dzeko.
“Unë mbajta qetësinë, e dija se çfarë mund t’i dhuroja skuadrës. Natyrisht, Lukaku nuk ishte i lumtur që nuk startoi, është normale”, përfundoi ai./Telegrafi/