Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se individët që kanë punuar në hartimin e dokumentit për marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duket se janë bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka deklaruar se për të nuk ka rëndësi emri se si do të quhet Asociacioni por kompetencat që do t’i jepen.
“Duket që grupi që e ka hartuar këtë dokument iu ka referuar në shumicën e rasteve aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Raci për Klan Kosova.
“Në atë aktgjykim, gjyqtarët kanë konstatuar se Asociacioni do të themelohet siç është paraparë me marrëveshjen e parë të nënshkruar në vitin 2013. Po të kishte dilema ligjore ose probleme etnike, unë besoj që edhe Gjykata Kushtetuese do ta konstatonte edhe propozimin për t’ia ndryshuar edhe emrin, por aktgjykimi i referohet marrëveshjes së vitit 2013”, tha ai.
“Në marrëveshje thuhet se ne do të kemi një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, edhe ky dokument i referohet marrëveshjes së 2013-ës dhe aktgjykimit. Për mua nuk ka rëndësi emri, por kanë rëndësi kompetencat që do t’i jepen këtij Asociacioni të ardhmen” , ka thënë Raci.