Site icon Telegrafi

Ashpërsohet gara për kreun, Besa e Vardari mbesin pa trajner

Java e 13-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut nuk solli ndonjë rezultat befasues, e as ndryshim të madh në renditje, njofton Telegrafi.

Sigurisht se kjo javë solli ndeshje derbi, në Shkup u takuan ekipet e kreut, Rabotniçki dhe Shkëndija e Tetovës, duel nga i cili pritej më shumë, por në fund sy ekipet ndanë nga një pikë, duke mos arritur të shënojnë gol. Rabotniçki mbetet lider dhe ekipi i vetëm që pas trembëdhjetë ndeshjeve nuk është mposhtur, ndërsa Shkëndija është me vetëm një pikë më pak në pozitën e dytë, por që tani janë barazuar edhe Sileksi dhe Gostivari që kanë pikë të barabarta, ndërsa Struga ka vetëm dy më pak.

Pikërisht skuadra e Gostivarit, kur është më vështirë, merr pikë, pasi dje fitoi në derbin shqiptar kundër Shkupit me rezultat minimal 1-0 dhe kjo tregon se deri në fund të sezonit, do të jetë një luftë e madhe për kreun. Shkupi vazhdon të jetë në telashe, nga një ekip me ambicie për të garuar për titull dhe kupë, si duket po humb gjithçka. Fillimisht ishte eliminuar nga gara e Kupës, ndërsa me disfatën e djeshme nga Gostivari, ka humbur hapin për kreun e tabelës.

Struga si kampion aktual ka treguar forcën e saj në fushë mysafire, duke e fituar duelin ndaj Besës së Dobërdollit, e që për këta të fundit pas ndeshjes edhe largimi i trajnerit, Berat Imeri.

Trajnerin e ka ndërruar edhe Vardari, skuadër kjo që nuk e di se çka është fitorja dhe tani është e ngujuar në pozitën e fundit në renditje. Skuadra nga Shkupi u mund dje 1-0 nga Pelisteri i Manastirit, për çka është larguar Srxhan Saharievski.

Voska Sport ka shënuar barazim në duelin ndaj Tikveshit dhe është ndeshja e katërt për ekipin shqiptar nga Ohri që nuk ka pësuar disfatë. Sigurisht se për të ikur nga fundi i tabelës, do të duhen edhe shumë pikë, pasi që Voska për momentin është në pozitën e 10-t, që i mundëson ndeshje balotazhi, por ka edhe shumë deri në fund të kampionatit dhe sigurisht që Voska ka forcë për të dhënë më shumë në këtë edicion.

Dy pozitat e fundit janë të rezervuara për ekipet më të dobëta të këtij sezoni, Tikveshin dhe Vardarin, ekipe këto të cilat nga 13 ndeshje kanë marrë 9, respektivisht 8 pikë. Java e ardhshme luhet të dielën e 9 nëntorit, ku do të ketë përballje mjaft interesante, me derbin për kreun me Strugës dhe Raboniçkit, ndërsa në Shkup Vardari është nikoqire e FC Shkupit. Shkëndija në Tetovë pret AP Breran, Besa do të jetë mysafire e Tikveshit, ndërsa duel interesant pritet të jetë Gostivari – Voska. / Telegrafi /

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version