Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës sot shënon 44-vjetorin e themelimit.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.
Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.
Në fillim, veprimtarinë e saj ASHAK duhej ta zhvillonte në një bashkërenditje me universitetin në rritje, brenda të cilit vepronin institute e bërthama shkencore dhe hulumtuese në Fakultetin Filozofik, më vonë të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin Teknik, në Fakultetin Ekonomik, në Fakultetin Filozofik, me institutet e pavarura nga Universiteti dhe nga Akademia – Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrometeorologjik, pastaj institutet që vepronin të lidhura me kapacitetet industriale të Kosovës, si Instituti Teknologjik që vepronte në kuadër të Kombinatit “Trepça”, Instituti i Hulumtimeve që vepronte në kuadër të Elektro-ekonomisë, Instituti Agro0teknologjik në Pejë i lidhur me Agro-ekonominë, dhe të institucioneve të tjera me interes në fushat e shkencës, të arteve dhe të kulturës.
ASHAK qysh në fillim duhej ta formësonte veprimtarinë e vet si institucioni më i lartë i shkencave dhe i arteve dhe të merrte role të rëndësishme në fushat e shkencave dhe të arteve në suaza të organizimit shtetëror të Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë.
Ajo po ashtu duhej ta harmonizonte punën me Unionin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë, ku bënte pjesë si anëtare e barabartë dhe në një mandat (1985-1987) qe Kryesuese e Unionit dhe qendër e selisë së tij. Përmes atij Unioni ASHAK e zhvillonte dhe veprimtarinë ndërkombëtare.
ASHAK në atë kohë kishte tri seksione:
- Seksionin e Shkencave Shoqërore,
- Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe
- Seksionin e Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve.
Më 1985 Kuvendi i ASHAK mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Arkivi dhe Biblioteka, që ishin funksionalizuar, u shkatërruan pas ndërhyrjes së policisë serbe në selinë e Akademisë më 1994, çka pamundësoi punën e saj më tej në atë godinë.
Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të themelohej për shkak të trysnive politike.
Qysh në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 Kuvendi i ASHAK-ut doli me angazhimet publike së pari me Deklaratën Kushtetuese, pastaj me angazhimet dhe veprimtaritë e tjera në favor të mbrojtjes së të drejtave që po shkeleshin në mënyrë drastike.
Përveç angazhimit bashkë me mekanizmat e tjerë të rezistencës në drejtim të organizimit të Referendumit për pavarësi, në drejtim të organizimit e të hartimit të dokumenteve themelore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.