Asamblistja e Vetëvendosjes në komunën e Drenasit, Egzona Tërdevci, e ka akuzuar kryetarin e kësaj komune Ramiz Lladrovci për “shfrytëzim të burimeve publike për interesa private”, pasi u mor vendimi për dhënien në shfrytëzim të 51 pronave komunale për 99 vjet.
Ajo në “Five” të TV Dukagjinit, tha se prapa kryetarit Lladrovci qëndrojnë biznese e persona të fuqishëm përmes së cilëve sipas saj ai po tenton ta blejë edhe një mandat tjetër.
“Praktikat në të kaluarën kanë treguar që këto prona janë dhënë për krijimin e klientelave, miqësive për ta ndihmuar në fushatë… e dimë që nuk ka punuar në Drenas, qytetarët janë të mllefosur nuk janë të kënaqur. Duke krijuar bashkëpunim me biznese e persona të fuqishëm në Drenas po tenton ta blejë edhe një mandat tjetër”, tha ajo.
Me 17 vota për, 12 kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Drenasit ka miratuar dhënien e 51 pronave komunale në shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh.
Ky vendim u mor të enjten, përkundër kundërshtimeve të opozitës, e cila ka shprehur shqetësime se kjo masë është në dobi të individëve të afërt me kryetarin Ramiz Lladrovci.
Opozita e ka kritikuar këtë veprim si një potencial për shfrytëzim të burimeve publike për interesa private.