Site icon Telegrafi

Arsenali merr një goditje të rëndë – ‘dora e djathtë’ e Artetës po largohet nga klubi

Arsenali ka njoftuar largimin befasues të një figure të rëndësishme brenda klubit, vetëm pak ditë pas humbjes me rezultat 1-0 ndaj Newcastle.

‘Topçinjtë’ dështuan që të regjistrojnë një goditje në drejtim të portës, pasi goli me kokë i Alexander Isak i vendosi në epërsi ‘Laraskat’.

Ishte një paraqitje e dobët e ekipit të Mikel Artetës në këtë drejtim dhe ata tashmë janë shtatë pikë mbrapa liderit Liverpoolit që po udhëheq në Ligën Premier pas 10 ndeshjeve.

Tani, Arsenali ka marrë një goditje tjetër, pasi drejtori sportiv dhe aleati më i madh i Artetas, Edu, pritet që të largohet nga klubi.

Arsyeja e largimit të tij deri në këtë fazë është ende e paqartë, ani pse Daily Mail ka raportuar se është vendim personal i brazilianit për t’u larguar, pas bisedimeve me hierarkinë e klubit.

Një njoftim zyrtar për këtë ndërprerje të bashkëpunimit, thuhet se është planifikuar për 24 orët e ardhshme.

Edu iu ribashkua Arsenalit në vitin 2019, pasi kishte qenë pjesë e ekipit të tyre si lojtar në sezonin kur ishin të pamposhtur, duke u konsideruar si një faktor kyç për ndryshime që ndodhën në ‘Emirates Stadium’.

Për më shumë, ai ka një marrëdhënie të fortë me Artetan, pasi kishte luajtur një rol të rëndësishëm në emërimin e tij si trajner në dhjetor të vitit 2019./Telegrafi/

Exit mobile version