Site icon Telegrafi

Arrestohet një person për ushtrim presioni ndaj komunitetit rom në veri për të votuar Listën Serbe​

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Gzim Jahiroviq në Mitrovicë nën dyshimin për ushtrim presioni ndaj komunitetit rom në veri të vendit, duke i detyruar ata të votojnë për Listën Serbe.

Arrestimi vjen si pjesë e një operacioni të gjerë për të luftuar manipulimet zgjedhore dhe për të siguruar procesin e drejtë dhe demokratik të votimit.

“Jahiroviq në bashkëpunim me strukturat ilegale serbe dhe nën instruksionet e Milan Radoiçiqit, ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj komunitetit RAE për të votuar në favor të subjektit politik ‘Lista Serbe’”, bëjnë të ditura burime të KosovaPress.

Sipas të njëjtit burim, shantazhet dhe kërcënimet janë realizuar në forma të ndryshme, duke përfshirë frikësimin e qytetarëve me ndalimin e ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijë që ata i marrin nga Qeveria e Serbisë. Jahiroviq ka komunikuar drejtpërdrejt me banorët e këtij komuniteti, duke u bërë presion që të mbështesin këtë subjekt politik.

Mësohet se Gzim Jahiroviq nuk është i panjohur për autoritetet, pasi ishte arrestuar edhe më 30 nëntor 2024 pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Ai ka qenë i përfshirë vazhdimisht në aktivitete kriminale dhe ka vepruar në emër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, e cila është e njohur për veprimtaritë destabilizuese në veri të Kosovës. Arrestimi i tij sot konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër strukturave ilegale dhe presionit politik të ushtruar ndaj komuniteteve në Kosovë.

Sipas burimit, autoritetet janë duke hetuar më tej rastin dhe nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë skemë.

Exit mobile version