Ndihmësdrejtori i Drejtorisë së Policisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, Dejan Knezheviq, është arrestuar në një aksion të Departamentit Special të Policisë së Malit të Zi.
Anëtarët e Departamentit Special të Policisë (SPO) e arrestuan Knezheviqin me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit, raporton rtcg.
Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Shtetit, Vukas Radonjiq, ka konfirmuar informacionin për arrestimin.
“Në vazhdimësi të aksionit që Departamenti Special i Policisë ndërmerr së bashku me Prokurorinë Speciale të Shtetit, dhe në bazë të hetimeve disa mujore dhe koordinimit mes të Prokurorisë Speciale të Shtetit, Departamentit të Policisë Speciale dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim të Organeve të Ligjit – Europol, sot është privuar nga liria ushtruesi i detyrës së ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Policisë për Sektorin Kundër Krimit, D.K., nën dyshimin se ka kryer veprën penale të krijimit të një organizatë kriminale dhe vepra të tjera penale”, tha Radonjiq.
Prokuroria Speciale e Shtetit do ta informojë publikun me kohë për veprimet e mëtutjeshme, shtoi ai.
Dejan Knezheviq është një punonjës dhe zyrtar i vjetër i Drejtorisë së Policisë. Më parë ka drejtuar Departamentin për Luftën kundër Kontrabandës së Drogës.
Ai u emërua Ndihmës Drejtor i Drejtorisë së Policisë për Krimin e Organizuar në fillim të marsit të vitit 2021. Mandati i tij në atë detyrë iu zgjat disa javë më parë. /Telegrafi/