A.B nga Korça, prej disa muajsh ishte nën hetim pasi dyshohet se ka vjedhur para, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, e dyshuara A.B. nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim, duke i mashtruar.
Sipas policisë, 46-vjeçarja, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro.
Shumën e konsiderueshme të përfituar, e dyshuara thuhet se i ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.
Në lidhje me rastin po hetohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /tch/