L.H., i dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, është arratisur ngaa Pallati i Drejtësisë, pasi i është caktuar masa e paraburgimit në seancë dëgjimore.
Kështu ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marr informacion se i njëjti pasi që ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që ti ik Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin”, thuhet në përgjigje për “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale bën të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H. dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri L.H. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për të zhvilluar procedurën penale”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, i dyshuari ka arritur t’i ikë policëve që ishin kompetentë për ta siguruar rastin. Ata kanë siguruar se arratisja e të dyshuarit nuk është përgjegjësi e gjykatës.
“Arratisja e të dyshuarit në rastin konkret, nuk mbetet në përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura procedurale ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore të KPPRK-së., andaj për më shumë informata lidhur me këtë çështje, ju mund ti drejtoheni Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të kuptuar nëse i dyshuari është lokalizuar apo kapur, dhe jemi në pritje të përgjigjes.