Telegrafi

Aro Muric i vendosur për t’u larguar nga Burnley, ditët e ardhshme vendimtare për të ardhmen e tij

Arijanet Muric është i vendosur për tu larguar nga Burnley, pasi dëshiron të luaj në nivel më të lartë dhe jo më në Championshipin anglez.

Portieri kosovar ka kontratë me klubin e tij aktual edhe për dy vite, megjithatë ai i ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se do të largohet.

Burnley nuk e ka ndërmend ta ndalojë largimin e portierit i cili fiton një pagë prej 25 mijë funteve në javë dhe ai sigurisht që dëshiron më shumë te një klub i ri.

Daily Mail raportoi ditën e djeshme se ka disa skuadra nga Liga Premier që kanë shprehur interesim për reprezentuesin kosovar, por ka edhe nga ato jashtë Anglisë.

Wolverhampton Wanderers, Southampton dhe kampioni në fuqi i Skocisë, Celtic, janë disa nga skuadrat e interesuara për yllin dardan.

Burnley është i gatshëm të heqë dorë nga shërbimet e Aro Muric vetëm nëse vije një ofertë rreth 15 milionë euro.

25-vjeçari qëndroi për kohën më të madhe në bankën rezervë, por kur u inkuadrua në 10 ndeshjet e fundit në Ligën Premier ai bëri paraqitje fantastike duke bërë për vete disa skudra.

Largimi i tij nga Burnley është i pashmangshëm, por mbetet të shihet se cila skuadër do t’i fitoj shërbimet e një portieri fantastik si Aro Muric./Telegrafi/