Pashkët ortodokse u festuan të dielën – por nuk kishte asnjë shenjë të pushimit të aksioneve ruse për pushtime të reja në Ukrainë.
Ushtria ruse sulmoi edhe një herë Ukrainën me dronë, raketa dhe armë të tjera. Në lindje të vendit, ushtria ruse vazhdon sulmet e dhunshme frontale, ndërsa ushtarët ukrainas duhet të presin dërgesat e paralajmëruara të armëve. Situata është aq e tensionuar sa një pyetje po bëhet gjithnjë e më me zë të lartë: a lejohet edhe Ukraina të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektivat në Rusi? Disa anëtarë të NATO-s po bëhen gjithnjë e më pragmatikë në këtë drejtim.
Kundërsulmet “të mbuluara nga ligji ndërkombëtar”
Kohët e fundit ishte David Cameron, sekretari i Jashtëm britanik që vizitoi Kievin. Qeveria e tij sapo i ka premtuar Ukrainës se do ta mbështesë vendin me tre miliardë paund ndihmë çdo vit – për aq kohë sa duhet.
“Le të jemi shumë të qartë: Rusia sulmoi Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtën absolute të kundërpërgjigjet”, tha Cameron. “Me Rusinë që sulmon objektivat në Ukrainë, është e kuptueshme pse Ukraina e sheh nevojën për të mbrojtur veten – domethënë, për të larguar rusët nga vendi dhe për të pasur aftësinë për të luftuar.”
Cameron dëshiron t’i lërë ukrainasit të vendosin vetë se si të përdorin armët britanike. Pak më parë, ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Brazhe, konfirmoi të drejtën e plotë të ukrainasve për të sulmuar territorin rus. Në një intervistë për gazetën ukrainase në internet “Europa Pravda” ajo tha: “Ukraina nuk ka nevojë vetëm për mbrojtje ajrore apo municione. Ukraina duhet të jetë në gjendje të kryejë sulme me rreze të gjatë dhe precize edhe në territorin rus, nga i cili sulmon Rusia. Ukraina është mbuluar nga ligji ndërkombëtar, Ukraina ka nevojë për armë me rreze të gjatë.
Sulmet kanë qenë prej kohësh një realitet
Deri më tani, fjalë kaq të qarta nga politikanët kryesorë perëndimorë për këtë temë rrallë mund të dëgjoheshin – të paktën në publik. Qeveria ruse, nga ana tjetër, ka njoftuar vazhdimisht se sulmet me armë perëndimore në territorin rus mund të përshkallëzojnë situatën. Kremlini akuzoi David Cameronin se me fjalët e tij rrezikon sigurinë evropiane.
Sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë kanë qenë prej kohësh një realitet. Aeroportet, kampet ushtarake dhe rafineritë e naftës bombardohen me dronë. Rafineritë, në veçanti, janë goditur shpesh kohët e fundit. Ekspertët ushtarakë besojnë se nëse Ukraina vazhdon sulmet me dronë, Rusia mund të përjetojë mungesë benzine që në fillim të kësaj vere. Çmimet e karburantit gjithashtu mund të rriten në mbarë botën.
Sulmet ndaj rafinerive shqetësojnë SHBA-në
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse qeveria amerikane kohët e fundit i bëri presion Presidentit ukrainas Zelenski që të ndalonte sulmin e ndonjë rafinerie në Rusi. Ndoshta thjesht sepse çmimet e larta të benzinës janë helm për presidentin amerikan gjatë fushatës zgjedhore. Por Zelensky nuk sheh alternativë tjetër për të dobësuar Rusinë. Të mërkurën e kaluar, një tjetër rafineri nafte ruse mori sërish flakë.
Zelenski tani ka mbështetjen edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Rafineritë e naftës në territorin rus janë “objektiva legjitime” për sulmet nga dronët ukrainas, tha Jens Stoltenberg në fillim të prillit.
Reagimi ndaj situatës në front
Politikanët perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë kanë dhënë prej kohësh fshehurazi bekimin e tyre ndaj sulmeve në tokën ruse. Tani gjithnjë e më shumë prej tyre po e bëjnë publik këtë qëndrim. Disa prej tyre nuk shohin më fare problem kur armët perëndimore përdoren për këto sulme.
Eksperti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov beson se kjo ka të bëjë me situatën e vështirë në fushën e betejës. Ekziston rreziku i një pushtimi të ri të ushtrisë ruse në zonën e Sumy ose Kharkiv, thotë Zhdanov. “Ne me siguri do të jemi të detyruar të luftojmë në kufirin tonë shtetëror,” thotë ai, kjo do të thotë se armiku do të vihet nën zjarr edhe në territorin rus.
Një marrëveshje e heshtur për rrezen operative
Herët a vonë duhej të ndodhte që vendet perëndimore të heqin dorë nga kërkesa që armët e tyre të mos përdoren në tokën ruse”, thotë ky ekspert ushtarak. Siç thotë ai, gjithsesi nuk ka pasur ndalim. Kjo vlen edhe për raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë veprimi që SHBA-ja i dorëzoi Ukrainës në pranverë. Ato kanë një distancë deri në 300 kilometra.
Ukraina i ka përdorur tashmë për të sulmuar disa objektiva ruse, por me sa duket vetëm në zonat e pushtuara nga Rusia. Në këtë mënyrë, siç thotë Zhdanov, ajo përmbushi kërkesën amerikane: SHBA-ja e lidhi dërgimin e raketave me kushtin që ato të përdoreshin vetëm në territorin ukrainas. Thuhet gjithashtu se ekziston kjo marrëveshje e heshtur kur bëhet fjalë për raketat britanike “Storm Shadow”: t’i përdorin ato vetëm në territorin e Ukrainës. Është çështje besimi.
Scholz nuk dëshiron të mbështetet në premtimin e Kievit
Kancelari gjerman Olaf Scholz preferon të mos mbështetet tek premtimet ukrainase – veçanërisht kur bëhet fjalë për raketat Taurus. Kjo raketë ka një rreze veprimi deri në 500 kilometra. Scholz tha kohët e fundit: “Këtu nuk mund të keni një debat si midis miqve: “A nuk më beson?” Sigurisht që u besoj miqve të mi, por nuk do t’u jepja të gjithëve të gjitha armët e mia!”
Megjithatë, eksperti ushtarak ukrainas Zhdanov beson se është e mundur që Scholz të ndryshojë mendje. “Pasi amerikanët na premtuan tanket “Abrams”, Olaf Scholz pranoi të dorëzonte tanket “Leopard” – megjithëse ai më parë tha se tanke të tilla nuk do të përdoreshin kurrë në ushtrinë ukrainase,” thotë Zhdanov, duke shtuar: “Kjo është arsyeja pse unë mendoj, se është e mundur që Olaf Scholz, nëse rrethanat zhvillohen në një mënyrë të tillë, të ndryshojë mendje dhe të japë raketat Taurus.
Rrethanat në fakt po ndyshojnë – jo për mirë: Rusia vazhdon të përparojë. Në raste të tilla politikanët bëhen edhe pragmatikë.