Site icon Telegrafi

Armëpushim në Gaza, por jo në Bregun Perëndimor – forcat izraelite sulmuan qytetin e Jeninit, ka edhe të vdekur

Forcat izraelite të sigurisë sulmuan sot qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha sot se operacioni madhor i ushtrisë izraelite në Jenin në Bregun Perëndimor është “një hap tjetër për të arritur qëllimin e vendosur: forcimin e sigurisë në Jude dhe Samari”, që është emri biblik i atij territori.

Operacioni i quajtur “Muri i Hekurt” pritet të zgjasë disa ditë, sipas mediave izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se të paktën gjashtë persona u vranë dhe 35 u plagosën në një operacion izraelit në Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ne veprojmë në mënyrë sistematike dhe vendimtare kundër boshtit iranian kudo që ai dërgon armë – në Gaza, Liban, Siri, Jemen, Jude dhe Samari”, tha Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga kabineti i tij.

Organizata islamike Hamas, që sundon në një territor tjetër palestinez, në Rripin e Gazës, bëri thirrje për forcimin e luftës kundër Izraelit në përgjigje të operacionit ushtarak izraelit në Jenin, njoftuan agjencitë.

Në Rripin e Gazës, një armëpushim ka qenë në fuqi që nga e diela në luftën midis Izraelit dhe Hamasit, e cila ka zgjatur për më shumë se 15 muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version