Këngëtarja e njohur shqiptare, Arilena Ara, do të ngjitet në skenën e Eurovisionit, në natën e dytë të festivalit që do të mbahet më 14 maj.
Ajo do të performojë e 18-ta me radhë, duke përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Shaj”.
Arilena ka qëndruar javëve të fundit në Los Angeles, atje ku ka ripërpunuar këngën e saj me disa producentë të huaj.
Ndërkohë, në një intervistë për “Vizioni i Pasdites”, Arilena ka treguar gjuhën në të cilën do ta këndojë këngën e saj, e që në fakt është gjuha në të cilën kënga u krijua.
“Kënga do dalë shumë shpejt, por dua të them që meqenëse kënga u ndërtua në fillim në variantin anglisht, me një demo dhe me një tekst minimalist anglisht, ka një frymë shumë të ndryshme, shumë më e bukur nga “shaj”. Është në të njëjtin karakter dhe mezi po pres ta ndaj me ju sepse është një ndjesi tjetër, një fuqi tjetër, emocion tjetër”, ka treguar Arilena.
E pyetur për ndonjë detaj shtesë rreth performancës, artistja nga Shkodra hezitoi të flasë shumë, duke zbuluar vetëm diçka nga koncepti i saj.
“Nuk mund të mos themi se kemi një ide për performancën, megjithatë nuk dua të flas shumë, por do them vetëm një gjë, do jem edhe në ajër edhe në tokë, kaq!”, ka treguar më tej ajo.
“Shaj” është një këngë e kompozuar nga Darko Dimitrov dhe Laza Cvetovksi, me tekst nga Lindon Berisha. /Telegrafi/