Po mbahet sot Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i degës së LDK-së në Lipjan. Ky Kuvend ka bërë bashkë Arban Abrashin dhe Hazir Borovcin, të cilët thanë se e vlerësojnë këtë qasje unifikuese të kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti.
Kryetari i degës, Imri Ahmeti, duke përmendur rrahjen në Degën e tretë të LDK-së në Prishtinë, tha se ishte incident momental i prodhuar nga të tjerët.
“Sot pak më e veçanta ime është se bashkë me ju i kemi sot dy miq, veprimtarë, dy njerëz që kanë peshë në sferën politike, të dy kandidatët e një dege që sot i kemi bashkë dhe në shenjë respekti të ndërsjellë, për hirë të një incidenti momental i prodhuar sipas të gjitha gjasave nga të tjerët janë bashkë me ne, kryetari aktual i degës së tretë në Prishtinë, Borovci dhe zotëri Abrashi”, tha ai.
Hazir Borovci falënderoi Ahmetin për punën dhe angazhimin në parti dhe komunë, por edhe për qasjen unifikuese.
“Ju përgëzoj për punën që bëni në komunë dhe më degën e LDK-së, për këtë qasje unifikuese që po e bëni për LDK-në, për qytetarët e Kosovës. Nga ky kuvend bëj thirrje që t’i kalojmë interesat personale, bëj thirrje për unifikim, s’ka alternative tjetër përveç një unifikimi të brendshëm brenda LDK-së”, tha Borovci, raporton KP.
Ndërsa, Arban Abrashi tha se puna në Lipjan garanton fitore.
“Veprat flasin vet. Puna që u bë në Lipjan, garanton fitore, i ndihmon edhe Lipjanit edhe LDK-së”, tha Abrashi.
E Agim Veliu e quajti Kuvendin e sotëm madhështor.
“Zgjedhjet janë krejt në fund dhe mund ta japim një notë kaluese për gjithë procesin me përjashtim të disa incidenteve që kanë ndodhë në disa nëndegë. Ato incidente, ne si kryesi i kemi menaxhuar dhe besoj që fundi i procesit të zgjedhjeve të LDK-së di të jetë fund i suksesshëm. Edhe pse disa parti politike deshën që këto incidente t’i shfrytëzojnë për qëllime politike, nuk ja arritën”, tha Veliu.
Në ketë Kuvend po marrin pjesë pothuajse të gjitha figurat kryesore të LDK-së. /Telegrafi/