Site icon Telegrafi

Aplikimi i Kosovës në BE e në Këshill të Evropës dhe takimi i 18 marsit në Ohër, temë diskutimi mes Kurtit dhe eurodeputetëve

Qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka filluar me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia. EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim është diskutuar për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar.

“Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues. Është folur edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatën për media.

Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, Kurti i ka njoftuar deputetët evropianë edhe për zhvillimet e fundit në vend, “arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare”.

“Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, eurodeputetët bëhet e ditur se kanë dhënë vlerësimin e tyre pozitiv dhe ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. /Telegrafi/

Exit mobile version