Site icon Telegrafi

Apeli vërteton aktgjykimin dënues ndaj ish-gjyqtarit dhe ish-policit të akuzuar për korrupsion

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte marrë aktgjykim dënues ndaj ish-gjykatësit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe ish-policit Blerim Gashi, të dënuar  për korrupsion me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë.

Vendimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vërtetuar më 26 maj 2022, nga kolegji i Gjykatës së Apelit i kryesuar nga Bashkim Hyseni, me anëtarët Afërdita Bytyçi dhe Tomisllav Petroviqi, duke i refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Rafet Ismajli dhe mbrojtësit të tij, avokatit Naim Rudari, si dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Blerim Gashi, avokatit Ramë Gashi.

Sipas vendimit të Apelit të siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase sipas gjykatës së shkallës së dytë, ky aktgjykim është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret e po ashtu është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe se përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave të Kodit në fuqi, e ku janë të përfshira të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale, nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, për të cilën të akuzuarit Ismajli dhe Gashi, janë shpallur fajtor.

Tutje, në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale e po ashtu edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga ana e të akuzuarve, ku thuhet se edhe vet i akuzuari Rafet Ismajli nuk e mohon faktin që ka marr para nga dëshmitari por parat i ka marrë hua me afate kthimi e jo për të ndikuar në çështjen penale të tij, po ashtu i akuzuari Blerim Gashi nuk e ka mohuar se ka marrë para nga dëshmitari Florim Zekaj por që të njëjtat i ka marr hua.

Në vazhdim të arsyetimit të këtij vendimi thuhet se sipas shkresave të lëndës, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor duke shtuar se në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar.

Po ashtu sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar nuk është shkelur as ligji penal, kjo për faktin se veprimet e të akuzuarve përbëjnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës penale për të cilën të njëjtit janë shpallur fajtor si dhe nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale të të akuzuarve.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat kanë ndikuar në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ku thuhet se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të tyre si dhe intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të njëjtit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprave penale.

Ndryshe, edhe një herë, për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.

E pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit, me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj tyre të shqiptohen dënime më të ashpra.

Por, Gjykata e Apelit të Kosovës më 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rafet Ismajlit, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashit, zyrtar policor.

Sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që ai të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë, Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që ai të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për medie, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismajli.

Exit mobile version