Takimi i planifikuar të mbahej sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nuk është mbajtur për shkak të refuzimit të palës serbe.
Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti.
Sipas tij, kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, porse siç tha “nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave të Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues të Komisioneve”.
“Sot, më 15 janar 2025, ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel ashtu siç është paralajmëruar.
Megjithatë, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve.
Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve.
Prania e Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka shkruar Hoti.
Tutje ai tha se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që është banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personve të zhdukur.
“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme.
Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur.
Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga Lajcak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së.
Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/