Është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka pohuar se anulimi ka ndodhur për shkak të disa problemeve që ka pasur me organizim.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, u shpreh ai.
Përkundër zhvillimeve atje, Kryeziu njoftoi se Kurti do të bëjë disa takime në Sarajevë.
“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”, shtoi ai.
Ndryshe Kurti po viziton BeH-në me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. /Telegrafi/