Site icon Telegrafi

Antropologu Nebi Bardhoshi vjen në Prizren me ligjëratën “Mbi kulturën e lumit”

Ligjërata e antropologut dhe studiuesit Nebi Bardhoshi e titulluar “Mbi kulturën e lumit” do të prezantohet më 23 janar 2025 para audiencës në Kinemanë “Lumbardhi” në Prizren.

Sipas njoftimit të Fondacionit “Lumbardhi” kjo ligjëratë është e përqendruar mbi lumenjtë Valbona, Zall-Gjoçaj dhe Vjosa.

“Tre lumenj: Valbona, Zall-Gjoçaj dhe Vjosa, e ndërtojnë një jetë krejt të vetën duke renduar mënyrën se si ndërtohen raportet shoqërore e kulturore përreth tyre, qoftë mes mitologjisë apo mes fenomeneve natyrore që jetësojnë apo se si njerëzit ndërveprojnë. Analiza e Nebi Bardhoshit vendos në komunikim këta tre lumenj e së bashku sjellin një panoramë të asaj çfarë mund të quajmë kulturë të lumit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Aty sqarohet se Bardhoshi është kërkues shkencor  me interesa specifike kërkimore në antropologjinë juridike dhe politike, antropologjinë e natyrës dhe historinë e mendimit antropologjik.

“Ai është autor i disa librave, përfshirë: “Gurët e Kufirit: Kanuni, Pronësia, Struktura Shoqërore” (2011), “Antropologjia e Kanunit” (2015) dhe “Etnografia në Diktaturë: Njohja, Shteti, Holokausti Ynë” (2018), bashkautor. Gjithashtu, Bardhoshi ka botuar artikuj të shumtë akademikë dhe ka shërbyer si redaktor shkencor i disa vëllimeve mbi shoqërinë shqiptare, si dhe për rajonin e  Ballkanit dhe Mesdheut”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ky është prezantimi i katërt prej serisë së ligjëratave të organizuara në kuadër të projektit “Permanent Transition”, të mbështetur nga European Cultural Foundation.

Programi në fjalë sjellë një mori hulumtuesish dhe profesionistësh sikurse edhe praktikues të fushës së artit, linguistikës, aktivizmit, ekonomisë dhe fushave të tjera, me synimin për të propozuar mënyra të ndryshme të të kuptuarit të krizës klimatike dhe të mundësive të reagimit në të ardhmen. /Telegrafi/

Exit mobile version