Site icon Telegrafi

Antonia e Idromenos

Motra tone Nga Kole Idromeno

Nga: Monika Stafa

Të përkthesh fjalën apo shpirtin e gjuhës? Kjo pyetje më lind herë pas here kur shfletoj libra të përkthyer sot në gjuhën moderne shqipe, nga përkthyes të rinj. Në njërin prej tyre, titulli i një prej pikturave më të njohura të Kolë Idromenos, “Motra Tone”, që në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës do të thotë “Murgesha Antonia”, ishte dhënë në anglisht “Our Sister”.

Pikërisht kjo ikje e kuptimit të fjalës prej traditës, më nxiti të rimendoj portretin e gruas më të bukur shqiptare, në një kohë të largët prej një artisti aspak të zakonshëm. Përkthimi i fjalës, pa psikologjinë e gjuhës, pa traditën e përdorimit të saj, pa mendësinë që përmban, do të thotë pamundësim i interkulturalitetit. Tek gjuha rron shpirti i popullit dhe kjo është arsyeja që ne shpesh e dëgjojmë shprehjen “ky tekst duhet shqipëruar”, sepse vërtet fjalët janë të gjitha aty, por njëra gjuhë ka lexuar tjetrën, jo njëra traditë tjetrën.

Po le të kthehemi tek portreti i parë madhor i pikturës shqiptare.

Motra Tone.

Ka ndodhur në Shkodër, 1883. Ndryshe quhet portreti i Antonias dhe përfaqëson pikturën e parë realiste shqiptare.

Ishte koha kur gruaja duhej të mbulohej dhe hiret e saj duhet të ishin vetëm të bashkëshortit. Por, mbi të gjitha arsyeja pse bukuria femërore duhej fshehur ishte sepse ajo turbullonte burrat.

Ata kishin frikë nga ajo, nga pasiguria apo dhe nga dobësia e tyre.

A mund të ndodhte kjo?

Po pse gjithë historia e artit shqiptar nis kryesisht në Shkodër?

Shkodra ishte një nga qytetet kryesore të Ballkanit në shek. XIX dhe qyteti më perëndimor i Perandorisë Osmane. Shkodra feudale, që njihej për pazarin e saj oriental, lëkundej drejt rënies duke humbur shkëlqimin e mëparshëm, për të marrë më pas një pamje tjetër gjatë shekullit XX.

Administrata osmane dhe kisha ortodokse kishte hapur shkollat e tyre, por në to mësohej turqishtja, persishtja, arabishtja dhe sllavishtja, por nuk mësohej gjuha shqipe. Shkolla kish hapur dhe kisha katolike por krahas italishtes, aty mësohej gjuha shqipe. Jo vetëm kaq, por kish dhe klasa të muzikës e vizatimit. Kjo sepse në gjirin e kishës katolike ishte ndjerë influenca e rilindjes italiane, fryma e humanizmit dhe e respektit për aktivitetin intelektual.

Në shumë pak kohë prej influencës së qyteteve evropiane arriti në Shqipëri edhe fotografia, pas saj, edhe arti realist. Përfaqësues të tyre ishin Pjetër Marubi dhe Kolë Idromeno. Ata hapën studiot e tyre fotografike në Shkodër.

Asokohe Marubi dhe Kolë Idomeno, kishin dhe nga një atelie pikture. Në familjet shkodrane krahas ikonave dhe shenjtorëve, në mure vareshin edhe portretet e familjarëve; në pikturë dhe fotografi. Por gjëja më e bukur atëkohë ishte se këto portrete ishin edhe në muret e familjeve muslimane, madje ishin portretet e grave dhe të vajzave të tyre.

Personaliteti i një artisti formohet gjatë jetës së tij krijuese dhe në të shumtën e rasteve zhvillimi i intelektit profesional të një njeriu nuk janë të shkëputura nga toka ku lindin.

Shkodra tregojnë, se ka qenë një qytet që të frymëzonte, kishte tharme karakteri dhe nxiste cilësi krijuese. Kjo ka qenë një nga arsyet që kohë më parë iu përkushtova me aq dashuri dhjetëra portreteve artistikë në filmat e mi.

Kolë Idromeno ishte piktor dhe fotograf. Ishte skenograf gjithashtu në kulmin e tij e që me aspiratat prej një qytetari të devotshëm mundi të lërë gjurmë si skulptor dhe arkitekt.

Si arkitekt ai i la Shkodrës si trashëgimi pjesën më të bukur të saj, shëtitoren dhe rrugicat që lidhen me të e që sot mbajnë emrin e tij.

Sa shije ato kanë tek shëtis shpesh në to.

Idromeno ishte po aq edhe shkrues i artit epistolar dhe i partiturave muzikore, të njohura fort në Shkodër, në qytetin që në fillim të shekullit XIX-të, numëronte aq pianoforte sa ç’kish dhe në Vjenë.

Faktet në jetën e Idromenos lidhen ngushtësisht me përpjekjet për artin sepse ai besoi që në fillim në art dhe kulturë. Libri kushtuar jetës dhe punës së tij, i studiueses Eleni Laperi, është një vepër që mbi të gjitha të gëzon jo aq për rishikimin me elegancë të talentit të tij artistik sesa mbi rëndësinë që merr kujtesa jonë kombëtare me emra te tille.

Duke e lexuar me kujdes bindem se Idromeno krijoi i prirë më shumë nga pasioni i një njeriu kulturdashës sesa nga nxitja e një egoizmi konkurrues.

Exit mobile version