Se ka rrymë mjaftueshëm, kanë deklaruar ditë më parë nga qeveria, ndërsa shoqatat e bizneseve thonë se ka reduktime, por nga KEDS thonë se nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga to. Ndërkohë, nga qeveria kanë thënë se KEDS duhet të vendosë infrastrukturë më moderne.
Reduktimet e fundit të energjisë elektrike, kanë paraqitur probleme te bizneset hoteliere. Drejtori i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Sadik Gashi, tha se disa nga bizneset kanë punuar mbi 8 orë me gjeneratorë. Gashi shtoi se përpos reduktimeve, lokalet në periferi të vendit përballen edhe me energji të dobët.
Ndërkaq njohësi i energjetikës, Lulzim Beqiri, tha se Kosova po përballet ende me mungesë të energjisë elektrike.
“Kosova fle mbi ari, ka potencial, por ende pas luftës përballet me reduktime. Duhet patjetër të hartohet një strategji e shfrytëzimit të potenciali”, tha Beqiri.
Ditë më parë, edhe nga qeveria kanë thënë se nuk ka mungesë të energjisë elektrike, por që infrastruktura të cilën e ka KEDS është e vjetruar dhe se shpeshherë nuk e përballon atë, ndërsa në një përgjigje tjetër me shkrim nga KEDS, thonë se bizneset nuk janë ankuar për mungesë të energjisë./rtk