Derisa po i jepej ndihmë një pacienti, tjetri pësoi rëndë, për çka familjarët kërkuan llogari një muaj më parë nga institucioni shëndetësor, QKUK-ja.
Jakup Gjinovci ishte rrëzuar nga shtrati dhe ka pësuar gjakderdhje në tru, pasi mjeku nxori nga dhoma familjarët e tij, sepse në të njëjtën kohë po kontrollonte të burgosurin Sami Lushtaku, raporton KTV.
KTV kishte raportuar për këtë rast dhe, më shumë se 1 muaj pas, familja Gjinovci ende nuk ka marrë përgjigje se kush mban përgjegjësi për këtë.
Fillimisht komisioni i ankesave kishte trajtuar lëndën për t’ia përcjellë atij disiplinor të SHSKUK-së, por pa ndonjë masë lënda i kaloi Inspektoratit Shëndetësor.
Ardita Baraku, kryeinspektore, thotë se nuk kanë pse të merren me këtë lëndë, pasi nuk ka një vendim nga dy komisionet e SHSKUK-së.
KTV-ja ka parë edhe korrespodencën mes institucioneve përgjatë gjithë muajit, në të cilën Inspektorati kërkon që t’i përcillet lënda bashkë me vendimin ndaj mjekut, për të cilin rast kishin marrë informacione nga kronika e transmetuar në KTV, më 11 janar.
Por, në SHSKUK tregojnë se lënda është përcjellë me kërkesë të Inspektoratit, transmeton Koha.net.
Derisa telefonatave të televizionit nuk i është përgjigjur kardiologu Nexhmi Zeqiri, KTV-ja ka parë edhe deklaratën e tij dhënë komisionit, ku thotë se ai vetëm ka kryer punën për të cilën është ftuar nga Klinika e Kardiologjisë për konsultë.