Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të katërmbëdhjetë për këtë vit.
Sipas njoftimit thuhet se në këtë seancë është miratuar propozimi për caktimin e Çmimit të Fiksuar Maksimal.
Vendimi i Bordi të ZRRE-së është bazuar në vlerësimin e Kostos së Nivelizuar të Energjisë (LCOE), si dhe vlerësimit të tregut të energjisë fotovoltaike. Bordi ka vendosur çmimin maksimal në nivelin prej 75 €/MWh, në mënyrë që të sigurojë interesim dhe konkurrencë të mjaftueshme për ankandin solar prej 100 MW.
“Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe miratuar planet zhvillimore dhjetë (10) dhe pesë (5) vjeçare për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Plani Zhvillimor dhjetë (10) vjeçar i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar 13 kërkesa për dhënien e autorizimit për ndërtimin të paneleve Solare për konsumatorët vetë- prodhues (prosumator) me gjithsej 271 kW, si dhe ka Licencuar Shoqërinë Infinit Power Solution për ushtrimin e aktivitetit të Furnizimit me Energji Elektrike”, thuhet në njoftim.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë ankesat e konsumatorëve, si dhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Tutje ZRRE ka njoftuar se të gjitha vendimet e Bordit do të publikohen në faqen elektronike. /Telegrafi/