Site icon Telegrafi

Ancelotti acarohet nga pyetja e gazetarit për poshtërim: Humbëm nga Barcelona

(Foto: Getty Images)

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është acaruar pasi u pyet nga një gazetar nëse humbja nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës ishte një poshtërim për këtë skuadër.

Strategu italian ka thënë se e dinte që skuadra e tij nuk ishte në gjendjen më të mirë para ndeshjes dhe se tani duhet të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme kundër Villarrealit.

“Një ndeshje e këtillë nuk do të na thyejë, nga ajo duhet të nxjerrim mësim. Edhe para ndeshjes e dinim se ekipi nuk është në gjendjen më të mirë, kemi disa mangësi të cilat duhet t’i përmirësojmë, ndërsa duhet të kthehemi më të fortë që në sfidën e rrallës ndaj Villarrealit”.

(Foto: Getty Images)

“Barcelonës ia dhuruam dy gola. Ndeshja në fillim ishte pa ritmin e duhur, ndërsa kur Barcelona kaloi në epërsi, morën vetëbesim shtesë. Kjo është ajo në të cilën duhet të punojmë, nuk duhet t’ua falim golat rivalëve tanë”, është shprehur trajneri.

Më pas, një gazetar i Marca e ka pyetur Ancelottin nëse ky rezultat është poshtërim për klubin mbretëror.

“Do të ishte mosrespekt të thuash diçka të tillë, kemi humbur nga Barcelona… I mundëm në kampionat, por këtu ata ishin më të mirë, as që më shkon ndërmend të flas për poshtërim, në sport herë fiton, herë humbni dhe kështu ndodh. Kjo i dhemb ekipit tonë, por Reali do të kthehet, nuk ka dyshim për këtë”, ka sqaruar italiani.

Barcelona i dha fund serisë së përsosur të Carlo Ancelottit, i cili fitoi 10 finalet e fundit në të gjitha garat si trajner i Realit. Është gjithashtu trofeu i 14-të i Superkupës së Spanjës për Barcelonën. /Telegrafi/

Exit mobile version