Site icon Telegrafi

Analisti boshnjak: Kurti lë të kuptohet se partia e tij do të mbështesë protestat masive kundër çdo qeverie të re

Analisti boshnjak, Jasmin Mujanoviq, ka bërë të ditura disa nga deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference online.

Sipas tij, Kurti ndër tjerash ka thënë se rrëzimi i qeverisë së tij ishte një “grusht shteti” i vërtetë dhe shton se i dërguari special i administratës së Donald Trump, Richard Grenell ishte i përfshirë ngushtë në këtë proces, përcjell Telegrafi.

Sipas Kurtit, ka shkruar Mujanoviq, “Grenell dëshiron një marrëveshje të nxituar me Serbinë që do të përfshijë shkëmbimin e territorit”.

Ndër tjerash, siç ka thënë analisti boshnjak, kryeministri në detyrë ka folur edhe për mundësinë e formimit të një qeverie të re, pa Vetëvendosjen.

Në këtë drejtim, sipas tij, Kurti ka lënë të kuptohet se partia e tij do të mbështesë protesta masive kundër çdo qeverie të re.

Madje, siç ka thënë Mujanoviq, Kurti ka shtuar se “do të pasojë një ‘fazë e destabilizimit’”.

Lexo po ashtu Analisti boshnjak citon një deklaratë të Kurtit për “shkëmbim të territoreve” – reagon Richard Grenell

Siç bëhet e ditur, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për mediet ndërkombëtare, e cila është organizuar nga “PresseClub Concordia” me seli në Vjenë. /Telegrafi/

Exit mobile version