Please enter at least 3 characters.

Viti i ri shkollor me brengat e vjetra

”Është krijuar një shprehi e keqe tek ata që qeverisin arsimin në Kosovë, dhe jo vetëm te qeveritarët e tanishëm, të lavdërojnë veten dhe punën e tyre. Në asnjë rast nuk vërejtëm se erdhi në shprehje ndonjë vetëkritikë për punën apo mospunën e tyre. Nuk po i kuptojmë, nëse kanë marrë për detyrë ta kënaqin veten apo popullin me këto lavdata! Ministria jonë e arsimit si duket po e sheh më të udhës të ndërtojë shkolla sesa të ndërtojë nxënës”

Marrëdhëniet shoqërore në një shoqëri njerëzore rregullohen me anë të normave dhe ligjeve të caktuara. Normat dhe ligjet e vendosura në një shoqëri rregullojnë mënyrat e sjelljes dhe ndërveprimit të njerëzve. Këto ligje dhe norma të shoqërisë njerëzore me kalimin e kohëve janë bërë më të përkryera, në mënyrë që ato t`iu përshtaten nevojave të përditshme të njerëzve, për një jetë më të mirë dhe për një bashkëveprim më të mirë.

Shoqëria jonë vazhdimisht është munduar të përqafojë dhe përvetësojë vlerat më të larta njerëzore që ekzistojnë në botën demokratike, përmes përvetësimit të ligjeve dhe normave të shteteve më demokratike të botës. Në shumë raste, shoqëria jonë duke u munduar t`i bëjë për vete apo t`i imitojë proceset demokratike të vendeve me demokraci të zhvilluar, shpeshherë ka bërë gabime në hapa dhe shpeshherë i ka ndodhur të kalojë nga hapi i parë në të tretin, duke harruar hapin e dytë.

Në parim, të gjithë ne jemi për atë që shoqëria jonë të jetë demokratike, të ketë marrëdhënie demokratike, të ketë ligje demokratike e kështu me radhë, mirëpo çështja që na çon neve në gabime në hapa, qëndron në faktin se ne, të paktën deri më tani, nuk kemi qenë në gjendje që ligjet, normat dhe vlerat e mirëfillta të njerëzimit t`i përshtatim dhe t`i vendosim në harmoni me specifikat tona, me kushtet e zhvillimit tonë shoqëror, ekonomik e politik.

Çështja e dytë e që është defekti më i madh i njerëzve të shoqërisë sonë dhe që gjithashtu shkakton ngecje në zhvillim është te moszbatueshmëria e ligjeve. Kam përshtypjen se ne shqiptarët jemi të prirur që më shumë të flasim për vlerat, sesa ti zbatojmë ato, më shumë flasim për atë se çfarë ligje kemi në përdorim, sesa të flasim për faktet, se sa po zbatohen ligjet dhe se sa janë të zbatueshme këto ligje. Për ne fatkeqësisht, akoma vlen thënia: “Nga e thëna në të bërë është një det i tërë”.

Si rezultat i kësaj, ne si shoqëri nuk ishim në gjendje që të zhvillohemi dhe të jemi në një hap me shoqëritë e tjera. Prandaj deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, ne nuk mundëm t`i arrijmë shoqëritë e zhvilluara dhe ngelëm shumë prapa tyre.

Është thënë shpesh, madje edhe nga njerëzit tanë, se shtylla kryesore mbështetëse për zhvillimin e një shoqërie apo shteti është arsimi. Sa më i zhvilluar që është arsimi në një shoqëri apo shtet, aq më e zhvilluar do të jetë ajo shoqëri apo ai shtet. Këtë thënie të gjithë e dinë, edhe bujqit e thjeshtë e kanë mësuar përmendësh (të më falin bujqit sepse nuk desha t`i marr shembull për të keq, ata janë shtresa e njerezve tanë që kanë mbetur me më pak shkollë, por që në fakt, tani në këtë kohë, kanë mbetur pjesa më e pastërt në çdo aspekt e shoqërisë sonë).

Në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor dëgjuam kryeministrin tek sa thoshte: Arsimi në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë në një nivel më të mirë të zhvillimit sesa sot, kemi bërë rritje pagash, brenda këtij mandati qeverisës do t`i rrisim përsëri pagat e punëtorëve të arsimit, e kështu me radhë.

Në pamje të parë, kur dëgjon fjalët e kryeministrit, për ndonjë të huaj që vjen për herë të parë në Kosovë dhe shikon lajmet në televizion, krijohet një përshtypje shumë e mirë, mirëpo kur përcjell pamjet nëpë klasat e shkollave tona, kur sheh që nga 5 veta ulen në një bankë, kur sheh se klasa ka mbi 40 nxënës, kur sheh se klasët nuk kanë karrige e banka, atëherë ai sigurt do ta fikë televizorin. Kur i huaji dëgjon Ministrin e Arsimit që thotë se, këtë vit, në shkollat e mesme do t`i pranojmë të gjithë nxënësit, e meritojnë apo nuk e meritojnë, vetëm që të mos i lëmë rrugëve, do të shtojmë numrin e klasëve pa kurrfarë kriteri, atëherë ai detyrohet t`i mbyll edhe veshët. I vetmi lajm i mirë, të cilit do t`ia merrte lakmi dikush ministrisë së arsimit do të ishte: dhënia e teksteve shkollore falas. Ky fakt ndoshta do ta këndellte pak.

Është krijuar një shprehi e keqe tek ata që qeverisin arsimin në Kosovë, dhe jo vetëm tek qeveritarët e tanishëm, të lavdërojnë veten dhe punën e tyre. Në asnjë rast nuk vërejtëm, se erdhi në shprehje ndonjë vetëkritikë për punën apo mospunën e tyre. Nuk po i kuptojmë, nëse kanë marrë për detyrë ta kënaqin veten apo popullin me këto lavdata! Ministria jonë e arsimit si duket po e sheh më të udhës të ndërtojë shkolla sesa të ndërtojë nxënës.

Ministri ynë, z. Enver Hoxhaj, mund të jetë ndoshta edhe ministri më i zellshëm në punë se sa pararendësit e tij, por strukturat e kësaj ministrie lënë shumë vend për të dëshiruar për punën që bëjnë. Pikëpamjet e mia për disa nga defektet që janë të pranishme në sistemin tonë arsimor i kam shprehur edhe në shkrimet e mëhershme, nëpër faqet tona të internetit.

Andaj, duke mos i përsëritur të njëjtat gjëra dhe duke parë se gjendja nuk po ndryshon për të mirë, mund të them edhe njëherë, se sistemi ynë arsimor është në krizë të thellë dhe viti i ri shkollor në Kosovë erdhi bashkë me brengat e vjetra.