Veseli ia siguron fitoren Pejës në sekondat e fundit
Ndeshja në palestrën “Karagaçi” filloi nën një atmosferë impozante të krijuar nga Shqiponjat dhe nga kryesia e Pejës që nën dritën e reflektorit prezantuan lojtarët një nga një, si dhe dy transferimet e reja Jan Mocnik dhe Radomir Marojevic.
Pas tyre, e tërë salla u ngrit në këmbë sepse në parket shkeli për të fundit herë ikona e këtij klubi, Valdet Grapci, i cili kësaj radhe u përshëndet për herë të fundit nga basketbolli. Kryetari i Pejës, Art Gashi, e nderoi atë me një dhuratë simbolike si dhe u bë e ditur se numri 6 do të pensionohet përgjithmonë, në shenjë respekti për kontributin që Grapci ka dhënë për këtë klub.
Çereku i parë e zuri Pejën ne befasi, sepse mysafirët filluan me një tempo të lartë dhe arritën të shkëputën në epërsi, mirëpo Hrvoje Puljko me tre trepikësha dhe Samir Shaptahu me dy sosh, e qetësuan situatën dhe i dhanë skuadrës një pikë avantazh në përmbyllje të çerekut, 22-21.
Kroati Puljko e vazhdoi serinë e trepikëshave edhe në fillim të çerekut të dytë duke i shënuar dy të tillë radhazi dhe kështu vendasit morrën zemër, teksa shikuesit u ‘ndezën’ të gjithë. Peja me lojë të mençur e mbylli pjesën e parë të ndeshjes me nëntë pikë epërsi, 40-31.
Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë ku e dominuan lojën me mbrojtje të fortë kundërsulme të shpejta, gjë që ua mundësoi ta ngritin epërsinë e tyre në 16 pikë, 67-51.
Cereku i katërt ishte katastrofal për Pejën, pasi që mysafirët dominuan tërësisht (6-22) dhe në sekondat e fundit e barazuan rezultatin(73-73) për të shkuar në vazhdime.
Në vazhdime të dyja skuadrat luftuan me mish e me shpirt për ta rrëmbyer fitoren. Përderisa Peja ishte në disavantazh prej një pike me vetëm 6 sekonda pa përfunduar takimi, në skenë doli heroi Alban Veseli, që morri guximin dhe shënoi me dy lojtari përballë dhe i dha Pejës një fitore jashtëzakonisht të madhe, 89-88.
Koshashënuesit më të mirë të Pejës ishin Hrvoje Puljko me 25 dhe Samir Shaptahoviq me 18, ndërsa Alban Veseli shtoi 12, por shumë vendimtare. /Telegrafi/


