Veseli: Demarkacioni do të kalojë dhe vizat do të hiqen
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i ka bërë përgjegjës deputetët që janë kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.
Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “shtyrja e seancës, si kërkesë disaditëshe për konsensus, dhe mosvotimi pikërisht në ditën e vizitës së zyrtarëve më të lartë të BE-së, nuk do t’i ndihmojë lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë.
Ai ka konfirmuar se do të vazhdojë angazhimin, me përkushtim të plotë, për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke arritur konsensusin e domosdoshëm që në ditët e ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi.
Postimi i plotë i Veselit:"Takimi dhe biseda me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe zyrtarët tjerë të lartë të BE-së, ishte një konfirmim i perspektivës së qartë europiane të Kosovës.BE-ja, me gjithë vështirësitë që ka, po e qartëson pozicionin ndaj Kosovës.Për fat të keq, një pjesë e përfaqësuesve të popullit, duke u thirrur zëshëm në emër të tij, nuk reflektuan sot për të ratifikuar Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit me Malin e Zi dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.Sot, ne mund të ishim të suksesshëm dhe krenarë. Izolimi dhe dështimi nuk janë opsione që ndihmojnë qytetarët tanë.Shtyrja e seancës, si kërkesë disaditëshe për konsensus, dhe mosvotimi pikërisht në ditën e vizitës së zyrtarëve më të lartë të BE-së, nuk do t’i ndihmojë lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë.Unë do të vazhdoj angazhimin, me përkushtim të plotë, për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke arritur konsensusin e domosdoshëm që në ditët e ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi", ka shkruar Veseli. /Telegrafi/


