Please enter at least 3 characters.

Vazhdojnë kërkimet në lumin Tisa

2016/01/f.1022142845153_m.jpg

Reagimet e policisë kanë pasuar njoftimet e mediave se ka dyshime që 15 shqiptarë nga Kosova mund të jenë mbytur në Tisa, midis 14 dhe 16 tetorit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari.

Zëdhënësi i policisë hungareze, Çongrada Janosh Pal, citohet të ketë thënë se më 15 tetor, në afërsi të kufirit, është gjetur një burrë dhe dy fëmijët e tij, në gjendje kritike shëndetësore të shkaktuar nga hipotermia.

Vajza trevjeçare kishte marrë trajtim të menjëhershëm shëndetësor, kurse vëllai i saj njëvjeçar ishte transferuar në spital. Pal ka shtuar se pas këtij incidenti, autoritetet kanë nisur një procedurë penale kundër këtij personi dhe se tani fëmijët janë në gjendje stabile.

Shefi i policisë në Suboticë, Boro Muçiq, ka deklaruar të enjten se nga kolegët hungarezë është njoftuar se me rastin e kalimit të paligjshëm të kufirit në lumin Tisa, në anën hungareze është fundosur një barkë dhe se është gjetur një grua e vdekur, ndërkohë që kërkimet për të tjerët po vazhdojnë.

Muçiq u ka thënë mediave serbe se informacionet janë duke u këmbyer nëpërmjet një komisioni të përzier, anëtar i të cilit është ai vetë në emër të Serbisë, dhe në anën e Hungarisë, gjenerali Janosh Lukaç.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka konfirmuar vdekjen e asnjë kosovari në lumin Tisa në Hungari. Pas njoftimeve të mediave kosovare për këtë çështje, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë hedhur poshtë të kenë marrë informata zyrtare nga autoritetet e Hungarisë për përmbysjen e ndonjë mjeti lundrues apo për viktima eventuale.

Këshilltarja dhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri, thotë se ka tri ditë që kjo ministri është duke kontaktuar Budapestin zyrtar në lidhje me këtë çështje, porse nuk është konfirmuar asgjë në këtë drejtim.

“Ajo çka mund t’ju konfirmoj unë, është se rasti është i dyshuar. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar pasi nuk gjenden trupa, e as mjeti lundrues me të cilin janë transportuar. Bëhet fjalë për një tentim-kalim ilegal të kufirit me qytetarë të Kosovës, për të kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Hungari pikërisht përmes lumit Tisa”, tha Beqiri. /Radio Evropa e Lirë/