UP prezanton rezultatet e provimit pranues
Siç transmeton RTK, para fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë vërshuar studentët e rinj për të parë rezultatin e provimit pranues. Shumë prej tyre ishin të kënaqur që kanë fituar të drejtën për të studiuar, ndërkaq disa të tjerë shprehën pakënaqësitë e tyre, për mos pranim në degët që ata kanë preferuar.
Zyrafete Baci, e cila është pranuar në Fakultetin Ekonomik, nuk gjen fjalë për të shprehur gëzimin e saj, që do të vazhdojë studimet.
“Ndjenjë më të mirë ende nuk kam pasur...”, theksoi ajo.
Ndërkaq, Emiri, i cili nuk është pranuar në afatin e parë në Universitetin e Prishtinës, mendon se ka pasur manipulime. “Kam konkurruar në degën ‘menaxhment informatikë’, edhe jam i pakënaqur, ma merr mendja që ka pasur manipulime....në afatin e dytë mendoj të konkurroj përsëri në këtë degë, të shikojmë sa janë shpresat”, tha ai.
Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, kanë bërë të ditur se procesi i provimit pranues dhe i vlerësimit të testeve, ka shkuar shumë mirë dhe nuk është paraqitur asnjë problem.
Zyrtari për informim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Isuf Iberdemaj, tha se në disa fakultete, që ka pasur më shumë konkurrencë është plotësuar numri i studentëve për pranim dhe nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë në afatin e dytë.
“Në drejtimet në të cilat konkurrenca ka qenë e fortë, ato tashmë e kanë përmbyllur numrin e të pranuarve për këtë vit akademik. Fakulteti Juridik qendra në Prishtinë tashmë e ka përmbushur numrin prej 1 mijë e 300 studentëve”.
Megjithatë, ka edhe një shpresë për ata kandidatë, që nuk janë pranuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Ata mund të konkurrojnë në afatin e dytë në qendrat Gjilan dhe Pejë. Edhe Fakulteti Ekonomik me qendër në Gjilan, ka ende vende të lira për afatin e dytë.
Ndërkohë, të gjithë studentët që janë pranuar për të vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës, për vitin akademik 2010-2011, për regjistrim të semestrit do të paguajnë tarifën prej 50 eurosh, pasi Ministria e Arsimit, ende nuk ka marrë vendim për ndryshimin e saj. /telegrafi/


