Thaçi i adresohet Kuvendit pa opozitën, thotë se muri në veri nuk do të shkurtohet, por do të hiqet i tëri
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi sot i është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me fjalimin vjetor, por pa prezencën e opozitës kosovare.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se është privilegj t’i drejtohet deputetëve, duke thënë se me fillimin e punës së tij ka garantuar se do të ruaj pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e vendit dhe se do t’i ruajë liritë dhe të drejtat e njeriut.
“Gjatë kësaj periudhe kohore kam marrë veprime konkrete për të fuqizuar rendin dhe ligjin, integritetin e Kosovës”, tha Thaçi.
Ai gjatë fjalimit të tij e përmendi reformën elektorale që sipas tij do të sigurojë një proces fer e transparent dhe do të sigurojë që vota nuk do të manipulohet.
Sipas tij, ekipi i tij ka kryer punën dhe i mbetet deputetëve të miratojnë ose jo.
Presidenti tha se korrupsioni dhe krimi është problem për qytetarët dhe duhet të jenë prioritet për zgjidhjen e problemeve të tilla. “Para ligjit të gjithë duhet të jemi të barabartë”, tha presidenti.
Ai bëri të ditur se ka vizituar edhe pikat kufitare në veri dhe sipas tij sovraniteti i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush.
Thaçi para deputetëve të pozitës foli edhe për murin në veri.
“Muri nuk do të qëndrojë aty e askund tjetër. Muri nuk do të diskutohet, nuk do të shkurtohet por do të hiqet nga baza”, u shpreh presidenti i vendit.
Thaçi po ashtu tha se në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut ka përkrahur komunitetin LGBTI, ndërsa sipas tij asnjë grup në Kosovë nuk do të jetë i përjashtuar.
“Në Kosovën tonë ka vend për të gjithë”, tha Thaçi.
Ai përmendi edhe vizitat e tij jashtë shtetit, pjesëmarrjen e Kosovës në lojërat olimpike.
Thaçi ka folur edhe për vizitat e tij në lapidaret e serbëve të vrarë. “Krimi është krim, nga kushdo që është bërë”.
“Nuk pajtohem me tekstin se është paragjykim e gënjeshtër, por kjo nuk duhet të na parandalojë t’i nderojmë viktimat”, tha Thaçi, duke sqaruar shkrimet në lapidaret serbe. /Telegrafi/


