Please enter at least 3 characters.

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” sfidon diskriminimin me art në premierën e shfaqjes “Në kërkim”

Teatri Rom “Nexhip Menekshe”, të hënën mbrëma, ka paraqitur premierën e shfaqjes “Në kërkim”, duke sjellë në vëmendjen e publikut porosinë e qartë kundër diskriminimit.

Frymëzuar nga vepra "Frika e madhe dhe mjerimi në Rajhun Tretë" të autorit Bertolt Brecht, regjisori Mahir Musliu ka vënë në skenë tri akte të pavarura të kësaj përmbledhjeje dramash që rrëfejnë jetën nën torturë e represion, duke shtyrë publikun e pranishëm për reflektim ndaj realitetit të sotëm, raporton Telegrafi.

Aktorët amatorë të teatrit rom në skenë janë paraqitur me një lojë të ndjeshme, të sinqertë dhe me plot energji, duke krijuar një lidhje të menjëhershme me publikun. Me interpretim të natyrshëm dhe përkushtim të dukshëm, secili prej tyre ka sjellë dimensione të ndryshme të personazheve, duke filluar nga brishtësia e emocioneve e deri te forca e brendshme që përcillej nëpërmjet fjalëve dhe gjuhës trupore.

Në këtë shfaqje kanë luajtur Fatmir Menekshe, Daut Qulangjiu, Gjelal Dogani, Benjamin Menekshe, Melisa Menekshe, Gjynejt Kallo, Mijedin Shope, Gynesh Veshall dhe Urma Menekshe.

Regjisori Mahir Musliu ka vlerësuar lartë angazhimin e përkushtimin e ekipit për ta vënë në skenë këtë dramë, që sipas tij, e ka marrë edhe verifikimin nga publiku i pranishëm.

“Kjo përmbledhje i ka disa drama, dhe në këtë rast tri prej tyre i kemi vënë në skenë.  Njëra është në kërkim të drejtësisë, tjetra është në kërkim të fizikës dhe e treta është në kërkim të spiunit. Domethënë, krejt këto e kanë si syzhe këtë frymë të antifashizmit, antiracizmit, antinjerëzimit”, ka thënë Musliu, raporton Telegrafi.

Sipas tij kjo porosi është përçuar me sukses te audienca.

“Qetësia që mbretëronte gjatë shfaqjes, ka treguar që e kemi arritur qëllimin edhe dramaturgjik, edhe skenik, edhe artistik”, ka deklaruar Musliu, duke sqaruar se për të ardhur deri në këtë pikë janë dashur pesë muaj punë, fillimisht me adaptimin e tekstit dhe pastaj vënien e tij në skenë, në saje edhe të përkushtimit të gjithë ekipit të angazhuar në këtë projekt.

“Kam punuar me një ekip të mrekullueshëm. Së pari janë njerëz të mirë, dhe janë edhe aktorë të mirë dhe të disiplinuar. Për çdo kërkesë që e kam parashtruar nuk ka munguar angazhimi i tyre gjatë inskenimit të shfaqjes”, është shprehur Musliu.

Ndërkaq Fatmir Menekshe, njëri prej aktorëve të Teatrit Rom, ka pranuar se inskenimi i veprës së Brechtit ka qenë sfidues, por se me punën disa mujore është arritur një rezultat i kënaqshëm.

“Falë regjisorit Musliu, mbështetjes së MKRS-së e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”, si dhe punës me përkushtim kemi arritur që ta trajtojmë një vepër të Bertolt Brecht, i cili ka qenë i përndjekur dhe i cili ka krijuar dy rryma kryesore domethënë si teatrin epik dhe teatrin politik, dhe për këtë është përndjekur nga regjimi nazist. Madhështia e veprës së tij tregon se sa ka qenë e vështirë për neve, por besoj që sonte publiku është ndarë i kënaqur dhe kjo dëshmon se ne e kemi arritur rezultatin tonë”, ka thënë Menekshe, raporton Telegrafi.

Sipas tij mesazhi i dramës është i qartë, sepse aktualisht edhe pse fashizmi nuk është i pranishëm, megjithatë diskriminimi ekziston, sidomos ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom.

“Prandaj qëllimi ynë ka qenë nxitja e mendimit kritik, dhe reflektimi për jetën shoqërore. Sot kjo është e domosdoshme pasi njerëzit nuk duhet të etiketohen nga etnia apo raca e tyre, por bazuar në vlerat e virtytet e tyre. Pra vetëm shkaku i dukjes së tyre nuk duhet të lihen anash dhe jashtë me një standard më të ulët në krahasim me komunitetet tjera që jetojnë këtu”, është shprehur Menekshe.

Premiera e shfaqjes “Në kërkim” është realizuar në kuadër të aktiviteteve për  shënimin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve. /Telegrafi/