Please enter at least 3 characters.

Ta shpëtojmë shtetin nga e keqja e madhe

2016/01/ta-luftojm-euml-t-euml-keqen-e-madhe-n-euml-vend_hd.jpg

Me më pak se dy milionë banorë, një popullsi relativisht e re, me plot talente, resurse natyrore, pasuri nëntokësore e vise tërheqëse turistike, Kosova jonë sot mund të kishte një pamje krejtësisht tjetër. Pesëmbëdhjetë vite pas luftës dhe gati shtatë vite pas shpalljes së pavarësisë, përballemi me probleme nga më elementaret, të cilat shoqëritë e zhvilluara i kanë tejkaluar me shekuj.

Sot, shumë familje mezi mbijetojnë dhe viti i ri i zë në skamje të thellë. Mijëra njerëz të këtij vendi janë mbuluar nga dëshpërimi, se një ditë vërtet do të bëhet më mirë. Dhe, kanë arsye për t’u ndier të lënë pas dore nga shteti, për të cilin sakrifikuan, ëndërruan, shpresuan shumë.

Kur shohin politikanët milionerë në krye të institucioneve, që tallen me besimin e votuesve, është e pashmangshme të mos bëhesh pesimist se ku po shkon ky vendi ynë. Pushtetit i janë vërsulur disa grupe partiakësh të babëzitur, klane zhvatëse e individë mashtrues, që me çdo kusht e duan Kosovën, të tërën për vete. Bijtë e bijat e tyre rrojnë në luks, e shumica përpëlitet në fundvit, duke numëruar centët e fundit. Një pabarazi e madhe e ka mbërthyer Republikën. Por, jo vetëm kaq.

Liderët autoritarë, me sejmenët e tyre përreth, i kanë shtrirë fijet e tyre kudo, në të gjitha poret e jetës sonë. Nuk është fare e rastësishme që, prej vitesh, figurat e njëjta e dominojnë plotësisht jetën institucionale. E, pikërisht, falë kësaj udhëheqjeje të dështuar, ne sot renditemi në vendet më të korruptuara në botë. Një grusht njerëzish, të fuqishëm përmbi ligjin, që nuk ia dinë fundin milionave, po e mbajnë peng të ardhmen tonë të përbashkët.

Pasojat e monopoleve të paligjshme ekonomike dhe oligarkisë politike

Mbi të gjitha, dëmi i jashtëzakonshëm po i shkaktohet zhvillimit ekonomik të vendit. Kushtetuta garanton të drejtën e punës dhe pronës, ekonominë e tregut të lirë, konkurrencën e ndershme, por realiteti kosovar e dëshmon të kundërtën. Sot, vuajmë të gjithë nga pasojat e monopoleve të paligjshme ekonomike dhe oligarkisë politike. Kush nuk është në rrethin e tyre, mbijeton me vështirësi të jashtëzakonshme ose në rastin më të keq, falimenton detyrimisht.

Disa politikanë, ca nga ish-nëntoka, të tjerë në sipërfaqe me buzëqeshje metalike, duan ta shndërrojnë Republikën në një dinasti të përjetshme, ku atyre u duket vetja se janë mbretër e sundimtarë, ndërkaq që sovranin e shohin si shërbëtor të tyre. Ata vendosin për gjithçka, kush do të fitojë tender, kush do të marrë licencat për të mbajtur monopolet, cili do të emërohet gjykatës a prokuror, drejtor a kryeshef.

Në sistemin e ndërtuar prej autoritarëve të Kosovës, nuk ka dhe nuk vlen kurrfarë meritokracie. Njerëzit e aftë nëpërkëmben, bizneset serioze ngulfaten, pengohen dhe rrënohen.

A duam të bëjmë Kosovën shtet të mundësive të barabarta, perspektivës së ndritshme, vend të së drejtës? E pra, së pari, duhet ta pranojmë këtë realitet, për t’ia nisur Ndryshimit të madh, për të shpresuar kthesën e madhe në rrugën e vërtetë të sundimit të ligjit për të gjithë dhe pa dallim.

Qytetarët meritojnë jetë të dinjitetshme, e jo fyerjen nga pushteti

Fatmirësisht, njëri nga zërat kryesorë institucionalë, kreu i shtetit, më në fund, e ka denoncuar në vendin e duhur, në Parlament dhe para kabinetit qeveritar, këtë degradim të paparë, këtë papërgjegjësi të pashembullt dhe mungesën e një kulture institucionale të transparencës.

Por, nuk mjafton vetëm një fjalim presidencial për t’i zgjidhur problemet e mëdha. Të gjithë mekanizmat e shtetit duhet të vihen në funksion të Ndryshimit dhe kundër paligjshmërive në vend.

Udhëheqësit e shtetit, zyrtarët e lartë, nuk janë aty vetëm për të shijuar privilegje e favore, të cilat vetëm i shtojnë, por kanë përgjegjësi për të siguruar rritjen e mirëqenies së popullit, zhvillimin ekonomik, zvogëlimin e papunësisë, sundimin e ligjit, luftimin e varfërisë...

Kosovarët nuk ia mësyjnë me dëshirë emigracionit ilegal, por laku u është ngushtuar tepër e nuk kanë nga t’ia mbajnë. Njerëzit e këtij vendi meritojnë një jetë të dinjitetshme dhe jo fyerjen e pushtetit, që po i detyron e degdis anekënd botës. Shpresa është dhe duhet të jetë këtu gjithsesi, në Republikën tonë, sepse pushteti është dhe duhet të jetë i Sovranit dhe Qeveria duhet të jetë në shërbimin tonë. Ne duhet ta gjejmë forcën për t’i detyruar më në fund çdo kastë qeveritare e politike, ta kuptojnë se më nuk mund të luajnë me ndjenjat tona, me fatin e shoqërisë, me të ardhmen e fëmijëve tanë.

Për të ndodhur reformat, për ta ndryshuar kursin, duhen hapa të vendosur, vendime të guximshme. Asgjë nuk mund të bëhet, pa i prekur së pari interesat e paligjshme të grupeve apo individëve, që duke shfrytëzuar pushtetin për vite me radhë, kanë ndërtuar piramida të paligjshme biznesore, prej të cilave marrin përfitime marramendëse. Shihuani vetëm formularët e pasurive të vetëparaqitura në Antikorrupsion dhe është e lehtë ta kuptosh se me rrogë shteti milionat e tyre nuk mund t’i ketë askush.

Por, ata i kanë, sepse janë mbi ligjin, mbi shtetin e nëpërkëmbur dhe përkohësisht, besoj, mbeten të paprekshëm.

Zhbërja e karteleve të krimit dhe monopoleve

Jam e bindur se e mira në këtë vend, një ditë, do të triumfojë mbi të keqen. Duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë. Kur presidentja e vendit flet dhe thërret publikisht për konkurrencën e lirë që mungon, dhe zhbërjen e karteleve të krimit e monopoleve, institucionet përkatëse të shtetit pashmangshëm duhet të veprojnë. Kush janë këto kartele, kush e mban monopolin? Nëse shteti ka vullnet të mundësojë rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse ekonomike, të mbështetur te frytet e iniciativës së lirë të qytetarëve të barabartë në një ekonomi të lirë të tregut, të inovacionit dhe të hulumtimit e zhvillimit, pengmarrësit e ekonomisë dhe lirisë, duhet të ballafaqohen me ligjin.

Kur pushteti përqendrohet në duart e një pakice, e cila abuzon, përfiton, zhvat, keqpërdor sistemin, për t'u siguruar favore të padrejta individëve dhe grupeve të caktuara të interesit, nuk mund të bëhet fjalë më për ekonomi të lirë. Të ashtuquajturat - elita kërcënuese për ekonominë e vendit - janë shndërruar në pengesa të vrazhda të ecjes sonë përpara, drejt zhvillimit të lirë dhe mirëqenies për të gjithë.

Një shoqëri e lirë dhe demokratike, e bazuar në kushte të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, nuk mund të funksionojë pa sundimin paraprak të ligjit dhe rendit.

Kosovës i duhet një vizion i ri, me njerëz energjikë, me energji të shëndosha e pozitive në krye të proceseve. Të aftët duhet të motivohen e zhvatësit t’i nënshtrohen forcës së ligjit. Është e mundshme.
Ashtu si ia kemi dalë në rrethana mbijetese, edhe kësaj here populli ynë do të jetë në gjendje të mësojë nga kjo përvojë, për ta dalluar të mirën nga e keqja, për të ecur përpara, drejt familjes së popujve të përparuar, aty ku e kemi vendin.

Gëzuar, për një vit të ri, të Shpresës së Re!

(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)