Please enter at least 3 characters.

“Suksesi” i vetëm i tyre ishin zhurmat kundër Rektorit, tash kërkojnë sërish votën e studentëve

Të shtatë përfaqësuesit e këtyre organizatave në Senat kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu të iniciuar nga BujarDugolli dhe disa dekanë të tjerë. Siç është e njohur, rektori Zejnullahu është shkarkuar nga Këshilli Drejtues më 21 tetor të vitit të kaluar, ndërsa vendimi për shkarkim është anuluar nga ministri Arsim Bajrami nën presionin e opinionit publik.

Rrethanat e krijuara pas shkarkimit të rektorit dhe rikthimit të tij në post, kanë bërë që Qeveria e Kosovës t’i shpall zgjedhjet e përgjithshme në Universitet. Procesit zgjedhor do t’i nënshtrohen të gjitha organet e Universitetit, nga këshillat studentore të fakulteteve deri te Këshilli Drejtues dhe Rektori, shkruan Telegrafi.

Egzon Daku dhe Muamer Hamzaj nga USPE, Rifat Krasniqi dhe Artur Avdaj nga OPS, Patriot Kelmendi dhe Senad Beqiri nga FER, si dhe Arben Mehmeti nga USPK, janë përfaqësuesit e katër organizatave studentore që, në cilësinë e senatorëve, kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

Të katër organizatat tani kërkojnë besimin e studentëve për t’i përfaqësuar sërish në Senatin e Universitetit të Prishtinës. Ato janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhje bashkë me tetë organizata të tjera studentore, disa prej të cilave kanë qenë në mbështetje të rektorit Zejnullahu, ndërsa disa të tjera kanë mbajtur qëndrim neutral.

Pra, kush janë katër organizatat që kanë kërkuar shkarkimin e rektorit, ndërsa tani kërkojnë besimin e studentëve.

USPE është organizata më e madhe studentore në Universitetin e Prishtinës. Ish-udhëheqësit e saj janë vënë në mbrojtje të ish-rektorit, Ibrahim Gashi, ndërsa emërimin e rektorit Zejnullahu e kanë kundërshtuar nga dita e parë.

Ka qenë ish-udhëheqësi i USPE-së dhe kryetari i Parlamentit Studentor, Irfan Veseli, ai i cili ka bërë padi kundër rektorit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke kërkuar shkarkimin e tij për shkak të konfliktit të supozuar të interesit. Kryetari aktual i USPE, Egzon Daku, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Parlamentit Studentor, ka qenë njëri ndër iniciatorët e peticionit për shkarkimin e rektorit Zejnullahu dhe e ka mbrojtur publikisht këtë vendim.

OPS dhe FER janë dy organizata studentore që e kanë kundërshtuar haptas rektorin Zejnullahu nga dita e emërimit të tij në këtë post. Me dhjetëra protesta kanë organizuar para dyerve të Rektoratit duke kërkuar shkarkimin e tij, ndërsa në një rast kanë ndërprerë në mënyrë të dhunshme mbledhjen e Senatit të Universitetit. Këmbëngulësia e kryetarit të OPS-së, Rifat Krasniqi, për ta shkarkuar rektorin e ka frymëzuar grupin e njohur humoristik “Stupcat” që ta bëjnë një skeç për këtë temë. Po ashtu, Krasniqi u bë i njohur edhe me kërcënimin ndaj ministrit Bajrami para dyerve të MASHT-it.

UPSK është organizata më e vjetër studentore në këto zgjedhje. Kjo organizatë drejtohet nga Arben Mehmeti, student i Fakultetit të Edukimit, i cili ka qenë kryetar I Parlamentit Studentor në kohën kur rektori Zejnullahu është përballur me problemin e regjistrimit të kategorive të luftës. Edhe Mehmeti nuk ka ngelur prapa kolegëve të tij nga organizatat tjera në kërkimin e shkarkimit të rektorit.

Zgjedhjet studentore janë caktuar për 13 janar, ndërsa fushata në Facebook tanimë ka filluar. Premtimi i parë elektoral vjen nga OPS, e cila zotohet se me të fituar në zgjedhje do t’i “zbus” kriteret për kalimin nga një vit në tjetrin dhe do t’i shtojë afatet e provimeve. Mbetet të shihet se çfarë do të premtojnë të tjerët. /Telegrafi/