Subvencionohen 23 lloje të perimeve
Se kjo mbështetje financiare është e domosdoshme, tregojnë edhe fermerët të cilët merren me kultivimin e perimeve në fushë të hapur.
Besim Kuqi nga Suhareka, thotë se me rritjen e përkrahjes për fermerë nga Qeveria do të ketë ndikime si në rritjen e cilësisë ashtu edhe shtimin e sipërfaqeve të mbjella me perimekultura.
Ai ka treguar për Portalin “Ferma Ime” se me kultivimin e perimeve në fushë të hapur merret gati tri dekada. “Po me kultivimin e patates, qepës, lule lakrës merrem tash e 30 vjet dhe jam shumë i kënaqur me prodhimin që po arrij ta kem nga këto sipërfaqe të mbjella me këto kultura. Po ashtu edhe shitja e tyre nuk është aspak problem, pasi që ka treg të mjaftueshëm për to”, thekson Kuqi.
Ai tregon se është përkrahur nga Komuna e Suharekës por jo aq sa duhet. Ai thotë se përkrahja për fermerët duhet të dallojë varësisht prej sipërfaqeve që kanë të mbjellura.“Po nëse Qeveria na përkrah me 300 euro për çdo hektarë të mbjellur, atëherë do të ishte ndihmë e madhe pasi që ne do të kishim mundësi t’i rrisim më shumë sipërfaqet e po ashtu edhe sasinë e plehut artificial për sipërfaqet e kultivuara”, tha Kuqi.
Ai tregon se aktualisht ka të mbjellur dy hektarë me patate, deri sa do të kultivoj edhe qepë e lakër në një hapësirë prej disa ari. “Patatet i kam mbjellë vitin e kaluar ku rendimentet kanë arritur prej 42 deri në 45 tonë për hektarë, deri sa nga 30 ari me qep kam gjetur 22 tonë”, ka thënë Fermeri Besim Kuqi nga Suhareka, i cili ka tokë të punueshme prej 5 hektarësh.
Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se këtë vit kjo do të mbështes sektorin e perimekulturës përmes pagesave direkte për njësi të sipërfaqes së mbjellë me perime në fushë të hapur, ku niveli i mbështetjes do të jetë nga 300 euro për hektarë. E fermerët që aplikojnë për të përfituar nga kjo përkrahje, duhet të kenë së paku 0.50 hektarë tokë me perime në fushë të hapur, ndërsa sipërfaqja e tokës e marrë me qera, duhet të jetë e kontraktuar së paku për një vit (kontrata duhet të jetë e lidhur dhe e nënshkruar në mes të dy palëve – qiradhënësit dhe qiramarrësit).
Ndryshe, perimet e kultivuara në fushë të hapur, të cilat do të subvencionohen në vitin 2014 janë: patatja, domatja, patligjani i zi, speci, kungulli i misirit, kungulli, kungullesha, trangulli, shalqiri, pjepri, lakra, lulelakra, spinaqi, marulla, pangjari, majdanozi, preshi, qepa, rrepka, hudhra, fasulja, bizelja dhe karota. /FermaIme/Telegrafi/


