Spurs pësojnë humbjen e parë në shtëpi
Edhe pse ekipi nga Teksasi kishte fituar 11 nga 12 përballjet e mëparshme ndaj rivalëve nga Louisiana, këtë herë ishte New Orleans që arriti të dilte me një fitore nga “AT&T Center”.
Pelicans kontrolluan periodën e parë me turkun Omer Asik që shënoi një 3 pikësh me peshë, ndërsa në periodën e dytë Spurs morën kontrollin me Tony Parker që pasoi një top për Aron Baynes, i cili nuk gaboi poshtë koshit. Në total, francezi e mbylli ndeshjen me 28 pikë personale.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dy pikëve për vendasit, por dëmtimet e Patty Mills dhe Tiago Splitter në periodën e tretë, e kushtëzuan shumë lojën e skuadrës së Greg Popovic, e cila e mbylli në disavantazhin e 10 pikëve.
Në 10 minutëshin e fundit, San Antonio dha sërish sinjale jete duke regjistruar rezultatin e përkohshëm 15-4. Më pastaj, 12 sekonda nga fundi, Eric Gordon shkaktoi një faull ndaj Danny Green nga zona e 3 pikëshit. Me të tri goditjet e lira të realizuara, Green e çoi sërish në avantazh San Antonion 99-98, por 6 sekonda nga fundi, një kombinim i dyshes Evans-Davis dha rezultat dhe pelikanët nga Louisiana arritën të siguronin një sukses historik në fushën e Spursave.
Në përballjet e tjera, Los Angeles Clippers mposhti 106-102 Portland Blazzers, Indiana u ndal në fushën e Washington 90-97, Atlanta u imponua ndaj New York 102-92, Boston fitoi ndaj Chicagos 106-101, Houston pësoi disfatën e parë sezonale në fushën e Golden State 87-98, ndërsa Milwaukee fitoi ngushtë 93-92 ndaj Memphis. /SS/Telegrafi/


