Sot rundi i dytë i bisedimeve direkte Prishtinë-Beograd
Bisedimet në mes të palëve pritet të fillojnë rreth orës 13:00, në Këshillin e Ministrave të BE-së në Bruksel.
"Ky takim do të ofrojë mundësinë, që palët të vazhdojnë t’i prezantojnë propozimet e tyre dhe në bazë të kësaj të fillojnë bisedimet”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave të BE-së.
Pas bisedimeve direkte, do të pasojnë takimet e ndara të përfaqësuesve të BE-së, SHBA-së dhe Rusisë, Wolfgang Ischinger, Frank Wisner dhe Alexandar Botsjan Kharchenko me delegacionet.
Rreth orës pesë të pasdites, pritet një deklaratë e treshes ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit për rezultatin e bisedimeve, dhe takimet e ndara me delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit.
Delegacioni i Beogradit në këto bisedime do të udhëhiqet nga shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, dhe ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur optimizëm para raundit vendimtar të bisedimeve për statusin e Kosovës ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Cristina Gallach, zëdhënësja e shefit të diplomacisë evropiane Javier Solana, ka thënë se më shumë takime, ballë për ballë, ndërmjet dy delegacioneve, do të mund të ndodhin para se treshja ndërmjetësuese për Kosovën të përpilojë raportin, i cili më pas do t'i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon.


