Please enter at least 3 characters.

Siria: Skenë për larjen e hesapeve mes Izraelit dhe Iranit?

2016/01/f.0506190430105_m.gif

Me këtë bombardim, kryengritësit që luftojnë kundër regjimit të dinastisë al-Assad - nsdër të cilët një pjesë e konsiderueshme janë radikalë islamikë - kanë marrë ndihmë nga shteti që në Lindjen e Afërt e të Mesme me dekada të tëra perceptohet si armik i betuar i islamit.

Lufta civile siriane ballafaqohet edhe me ndarje suni-shiit, ku në pjesën e parë ndikon mbretëria e Arabisë Saudite (dhe sponsori kryesor i saj në botë, SHBA-të), e në anën tjetër Republika Islamike e Iranit (që ka mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, e që ka raporte të këqija me Washingtonin).

Kaosi bëhet më i madh kur dihet se sulmi izraelit në Damask ka ndodhur pas kundërsulmit të suksesshëm të Ushtrisë së Sirisë, që ka dëbuar kryengritësit nga Otaiba, një qendër e rëndësishme për furnizimin e tyre me armë nga Jordania.

Përveç bombave që vazhdojnë të bien mbi sirianët, pluhurin rreth asaj se çfarë tamam po ndodhë e ngre edhe lufta me informata. Zyrtarët izraelitë thonë se sulmi i dytë, brenda tri ditëve, me shpërthimet më të mëdha në dy vitet e fundit të luftës civile në Siri, ishte i drejtuar kundër sigurimit të armëve për Hezbollahun. Pos kësaj, sulmet aq të mëdha në kryeqytetin e një shteti tjetër, Izraeli madje nuk ka dashur as zyrtarisht t’i konfirmojë.

Pala siriane nuk pranon interpretimet e tilla, duke thënë se akti i Izraelit nënkupton shpallje lufte. Bombardimi i dhjetë pozicioneve, përfshirë edhe Shtabin malor të Divizionit të IV-të sirian, me të cilin udhëheq Maheri, vëllai i Bashar al-Assadit, sipas shefit të diplomacisë siriane “është dëshmi se Izraeli në Siri mbështet terroristët e al-Qaidas”.

Faktin se në mesin e kundërshtarëve të Assadit luftojnë edhe pasuesit e Xhihadit, këtë ka kohë që e kanë konfirmuar dëshmitarët e ndryshëm perëndimorë të rrethanave në Siri. Dhe tani, analistët çdo herë e më shumë thonë se lufta e përgjakshme civile në Siri është një skenë për larjen e hesapeve mes Izraelit e Iranit.

Burime të afërta me autoritetet izraelite pretendojnë se Tel Avivi nuk i ka dërguar aeroplanët për të shkatërruar bazat e regjimit të Assadit, por vetëm që të ndalojë armët iraniane të teknologjisë së lartë që të bien në duar të Hezbollahut, nga Libani - që sulmon Izraelin dhe mbështet luftëtarët palestinezë kundër shtetit hebre. Ligjvënësi izraelit, Tzachi Hanegbi, që thuhet se është i afërt me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli formalisht nuk ka pranuar bombardimin e pozicioneve të Ushtrisë siriane, që t’ia “shpëtojë fytyrën” Assadit tek mbështetësit e tij.

Ushtria e Sirisë, natyrisht, është e paaftë në këtë situatë edhe për një luftë, dhe atë kundër një shteti të fuqishëm si Izraeli.

Në tërë këtë histori, një vëmendje e veçantë i është kushtuar aleatit kryesor të Sirisë, Iranit, krerët e të cilit kanë shprehur besimin “në përgjigjen e ashpër” të shtetit sirian ndaj “agresionit cionist”, duke i ofruar Sirisë që Irani ta ushtrojë ushtrinë e vendit fqinj për këtë akt hakmarrjeje.

Irani dhe Izraeli me muaj të tërë janë në një gjendje të tensionuar, që shpesh herë në të kaluarën ka shpërthyer në luftë.

Përfshirja e Izraelit në gjakderdhjen siriane, në plan të dytë është nxitur nga akuzat se në Siri po luftohet me armë kimike. Të dyja palët që luftojnë në Siri akuzojnë njëra-tjetrën për përdorim të këtyre armëve. Regjimi i Assadit madje ka kërkuar nga hetuesit e OKB-së që të vërtetojnë se kush gjuan me raketat me klor helmues, por në anën tjetër i bllokon ata sepse nuk dëshiron që OKB të di shumë për pozicionet e saja luftarake. /Telegrafi/