Sigal Prishtina e nis me Superkupë
Palestra “Sezai Surroi” në Prizren ishte e stërmbushur nga Arpagjikët dhe Plisat të cilët dhuruan një spektakël të vërtetë.
Për Prishtinën debutuan përforcimet e reja Jordan Hulls, Edin Bavcic e Aaron McGhee, të cilët dhanë sinjale pozitive, teksa te Bashkimi debutuan Dixon, Tankelewicz , Medenica dhe Marojevic.
Pjesa e parë e takimit ishte shumë e barabartë dhe me disa ndryshime në rezultat, ku Bashkimi dëshmoi se këtë vit është një skuadër dukshëm më e përgatitur. Prizrenasit me lojë të fortë nuk e lejuan Sigal Prishtinën të krijonte më shumë se tre pikë epërsi në fund të pjesës së parë, 40-37.
Fillimi i pjesës së dytë ishte vërtetë i zjarrtë, ku u vërejt një dominim i Bashkimit me ç’rast edhe e fituan çerekun e tretë duke dalë në pesë pikë epërsi, 54-59.
Sidoqoftë, kjo epërsi nuk ju zgjati shumë pasi në skenë doli Dardan Berisha dhe Aaron McGhee të cilët me pikët e tyre e kthyen epërsinë dhe ia fituan lojën bardhekaltërve me vetëm tre pikë dallim, 82-79.
Te Sigal Prishtina katër lojtarë shënuan pikë dyshifrore që tregon se trajneri i ri Sabit Hadzic po aplikon një lojë të fortë ekipore. Berisha ishte më i miri me 32 pikë, ndërsa McGhee shtoi 20, Azemi 11 dhe Hulls 10.
Në anën tjetër te Bashkimi më i miri ishte Tankelewicz me 15 pikë, i pasuar nga Hysenagolli me 14 sosh.
Kështu, Sigal Prishtina e mbron titullin e Supërkupës që e kishte fituar edicionin e kaluar dhe jep shenja pozitive për vazhdimin e edicionit. /Telegrafi/


