Shpëlarja e parasë (s’) ka mekanizëm për luftim
Alban Hashani, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo dukuri kërkon vëmendje urgjente nga institucionet e Kosovës. “Nominalisht në Kosovë ekzistojnë institucione që do duhej të merren më këtë çështje, megjithatë, siç janë identifikuar edhe nga Komisionin Evropian, kemi mungesë të kapaciteteve të këtyre institucioneve”, thotë Hashani.
Ndërkohë, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, thuhet se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në adresimin e krimeve ekonomike dhe financiare, dhe në shpëlarjen e parave.
Se kjo dukuri është e pranishme në Kosovë, pohojnë edhe zyrtarë në Policinë e Kosovës. Brahim Sadriu, zëdhënës në këtë institucion, thekson se dukuria e pastrimit të parave është e shprehur, por jo në numër shumë të madh. “Gjatë periudhës janar – shtator 2011, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, drejtori në të cilën bie edhe domeni i këtyre rasteve, ka iniciuar dhe ka hetuar 13 raste të cilat janë klasifikuar si raste të pastrim parave”, shprehet ai.
Sidoqoftë, sipas tij, Policia e Kosovës ka krijuar mekanizma të mjaftueshëm për ta luftuar këtë dukuri. “Në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë hetues policorë të cilët kanë kryer trajnime të veçanta për hetimin e këtyre rasteve. Mund të themi që kemi kapacitete profesionale të mjaftueshme për të hetuar këto raste”, thekson Sadriu.
Sidoqoftë, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian thuhet se në vitin 2010, Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Kosovë, ka hetuar mbi 700 raste, nga të cilat 500 me autorë të ditur të krimeve i janë dërguar Prokurorisë, mbi 170 të dyshuar janë arrestuar, ndërkaq, dëmi i përafërt llogaritet të jetë rreth 27 milionë euro.
Njohës të çështjeve ekonomike thonë se kjo gjendje po e dëmton ekonominë e Kosovës.
Alban Hashani thekson se kjo dukuri, përveç tjerash, e dëmton edhe buxhetin shtetëror. “Kjo krijon konkurrencë të pabarabartë në treg dhe që i detyron firmat që operojnë në spektrin ligjor, që të raportojnë dhe automatikisht të kalojnë në ekonomi jo formale apo të shuajnë afarizmin e tyre, për arsye se është shumë vështirë të operosh në kushte të konkurrencës së tillë. Prandaj, mendoj që krijon defekte të mëdha në sektorin privat, dhe ne e dimë që pa një sektor të qëndrueshëm privat është e pamundur të kemi rritje të qëndrueshme ekonomike”, shprehet ai.
Shpëlarja e parave ka të bëjë me përfitimin e pasurisë nga aktivitetet ilegale dhe përpjekjet që këto përfitime të vendosen në sistemet bankare, në mënyrë që të fshihet origjina e tyre. /Rel/Telegrafi/


